Guri: Ministria e Drejtësisë rehatoi familjarët e Vetëvendosjes, dy muaj para zgjedhjeve
Kryetari i Forumit të Rinisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (FRLDL), Paris Guri dhe kandidati i LDK-së për deputet, ka akuzuar Ministrinë e Drejtësisë, nën udhëheqjen e Albulena Haxhiut, për punësime të dyshimta dhe nepotizëm, veçanërisht në prag të zgjedhjeve.
Guri ka zbuluar se motra e deputetit të Vetëvendosjes, Salih Zyba, është punësuar në këtë ministri, duke vënë në pikëpyetje procesin e konkurrimit për këtë pozicion. Sipas tij, nga 73 aplikime në konkursin e shpallur, është zgjedhur pikërisht një familjare e afërt e një përfaqësuesi të partisë në pushtet.
“Dy muaj para zgjedhjeve, qeveria ka filluar të rehatojë motrat, dajët, vëllezërit dhe kushërinjtë me punësime dhe grante. Kjo është një praktikë e papranueshme dhe tregon kapjen e institucioneve publike për përfitime personale e partiake,” deklaroi Guri.
Ai theksoi se pas zgjedhjeve, LDK-ja do të angazhohet për të liruar institucionet publike nga praktikat e nepotizmit dhe për të siguruar që çdo cent i shpenzuar padrejtësisht të kthehet. “Do të shkojmë deri në fund, duke çliruar institucionet nga uzurpimi i familjarëve,” përfundoi ai. /Kosova.info/
