Abdixhiku takon zëvendës ambasadore Anu Prattipati: LDK e përkushtuar për marrëdhënie të forta me SHBA-të

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, zhvilloi një takim me të ngarkuarën me punë dhe zëvendës ambasadoren e SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati. Ky takim shënon një tjetër përkushtim të LDK-së për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Abdixhiku e informoi znj. Prattipati mbi ecurinë pozitive të fushatës zgjedhore të LDK-së dhe optimizmin për ndryshime të rëndësishme politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai theksoi se LDK synon rikuperimin dhe thellimin e marrëdhënieve me SHBA-të dhe administratën amerikane, duke vënë në qendër të qeverisjes bashkëpunimin strategjik në fusha kyçe si siguria, energjetika, ekonomia dhe teknologjia.

“Kosova e pavarur dhe sovrane, e anëtarësuar në BE dhe NATO, dhe me një miqësi të përhershme me SHBA-të, është misioni ynë dje, sot dhe nesër,” deklaroi Abdixhiku.

Ai nënvizoi rëndësinë e aleancës me SHBA-të si bazë për zhvillimin e gjithanshëm të vendit, duke përfshirë sigurinë kombëtare dhe modernizimin ekonomik.

Takimi riafirmon përkushtimin e LDK-së për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me SHBA-të, duke reflektuar rëndësinë e këtij partneriteti në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike dhe zhvillimit të qëndrueshëm. /Kosova.info/


Go to TOP