Çeku: Më vjen mirë që institucionet e Kosovës kanë hequr dorë nga përgjimet e paligjshme ndaj gazetarëve
Gazetari hulumtues Fitim Çeku ka deklaruar sot se ka marrë informacion nga një burim ndërkombëtar përtej atlantikut se telefoni i tij nuk është më nën përgjim që nga data 31 dhjetor 2024. Në një deklaratë publike, Çeku shprehu kënaqësinë për vendimin e institucioneve të Kosovës për të hequr dorë nga praktikat që i cilëson si të paligjshme ndaj gazetarëve hulumtues.
“Jam i lumtur që hetuesit në Kosovë kanë pranuar se jam në rrugën e duhur. Nëse kanë zbuluar ndonjë bashkëpunim me shërbime sekrete, i ftoj ta bëjnë publik, edhe pse di që një gjë e tillë dërgon zyrtarë në burg,” tha Çeku.
Ai gjithashtu kritikoi institucionet për përdorimin e teknologjive të avancuara si Pegasus dhe informacionet nga burime që i quajti “skizofrenike.”
“Bëhuni më profesional herave të tjera,” shtoi ai duke theksuar se vazhdon të mbrojë lirinë e shtypit dhe të luftojë për transparencën institucionale.
Deklaratat e Çekut vijnë si një thirrje për rritjen e profesionalizmit në trajtimin e gazetarëve dhe një paralajmërim ndaj praktikave që cenojnë lirinë e medias në Kosovë. /Kosova.info/
