Krerët e sistemit të drejtësisë në takim të përbashkët
Drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial, kryetarë të gjykatave, kryeprokurorë u bënë bashkë në një tryezë.
Për kryetarin e Supremes, Fejzullah Rexhepi të tilla takime janë të rëndësishme, meqë sipas tij mund të diskutohen çështje me rëndësi që lidhen me përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe mundësojnë përcaktimin e hapave të rinj drejt rritjes së efikasitetit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
“Po ashtu, diskutimi mbi Politikën Ndëshkimore është ndër temat më të rëndësishme të këtij takimi. Si një komponent kyç për një sistem drejtësie efikas, kredibil dhe të paanshëm, kjo politikë duhet të bazohet në parimet kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë ai, thuhet në njoftimin e përbashkët të këtyre institucioneve të drejtësisë.
Ndërkaq, Besim Kelmendi, ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit tha se kanë qenë unik në qëndrimet e tyre në ruajtjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
“Mirëpo, krahas sukseseve ne jemi të vetëdijshëm për hapat që duhet bërë për të avancuar sistemin e drejtësisë, për të pasur më shumë suksese, më shumë efikasitet, më shumë cilësi në punën tonë si gjyqtarë dhe prokurorë”, citohet të ketë thënë ai.
Sipas tij, nuk mund të ketë drejtësi për qytetarët dhe gjykim në kohë të arsyeshme deri sa ka mungesë të numrit të prokurorëve.
Ndërkaq, kryesuesi i KGjK-së, potencoi nevojën e koordinimit për pakon e reformës në drejtësi, e cila sipas tij, nuk është ideale, por është reale.
Zogaj theksoi rëndësinë që i është kushtuar mbrojtjes së pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial gjatë këtij procesi.
Nga ana e tij, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, vuri theksin në fuqizimin e sistemit të drejtësisë.
Ndërkohë, bëhet e ditur se rreth shtatëdhjetë pjesëmarrës në takim diskutuan për koordinimin e gjykatave dhe prokurorive, produktivitetin e seancave gjyqësore dhe efikasitetin në trajtimin e rasteve.
