Sali Rexhaj bën thirrje për regjistrim masiv: me votën tonë, rikthejmë Kosovën në rrugën perëndimore
Veprimtari i çështjes kombëtare, Sali Rexhaj, ka bërë një thirrje publike për të gjithë qytetarët e Kosovës që të regjistrohen dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor të 9 shkurtit 2025. Në një deklaratë, Rexhaj e cilësoi procesin e regjistrimit si shumë të lehtë, që nuk kërkon më shumë se dy minuta, por me një ndikim të jashtëzakonshëm në të ardhmen e vendit.
“Ndryshimet ndodhin vetëm me votën tonë. Është koha që Kosova të çlirohet nga kthetrat e Serbisë dhe të Rusisë dhe t’i rikthehet rrugës perëndimore, në krye me SHBA. Më 9 shkurt, në mbrëmje, do ta festojmë të gjithë bashkë riçlirimin e Kosovës dhe rikthimin e normalitetit,” u shpreh Rexhaj.
Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive në votime duke vënë theksin se ata që zgjedhin të mos votojnë, humbasin të drejtën e ankesës dhe mbajnë përgjegjësi ndaj shtetit dhe gjeneratave të ardhshme.
Thirrja e Rexhajt erdhi në një kohë të rëndësishme për skenën politike në vend, ku synohet përmirësimi i marrëdhënieve ndërkombëtare, heqja e sanksioneve dhe stabilizimi i Kosovës në arenën globale.
Ai ftoi qytetarët të bëhen pjesë e këtij ndryshimi historik duke kontribuuar me votën e tyre. /Kosova.info/
