Rexhaj: A do ta kuptojnë qeveritë dhe partitë tona rëndësinë e arsimit, apo kjo sfidë do të mbetet e papërmbushur?

Eksperti i arsimit dhe ish zëvendësministri i MAShTI-t, Xhavit Rexhaj, ngre shqetësimin e tij mbi prioritetet e politikanëve të Kosovës duke e theksuar rolin vendimtar të arsimit për fuqinë dhe të ardhmen e një shteti.

Në një analizë të tij, Rexhaj sjell në vëmendje një listë prej 8 kritereve të përcaktuara nga miliarderi Ray Dalio për të matur fuqinë e shteteve më të forta në botë, ku arsimi renditet i treti, pas tregtisë dhe inovacionit/teknologjisë – madje përpara ekonomisë dhe ushtrisë.

Sipas Rexhajt, Kosova nuk e trajton arsimin si prioritet. Ai citon raportin e BE-së për Kosovën për vitin 2024, ku buxheti shtetëror për arsimin ka rënë nën 4% të PBB-së, duke reflektuar një mungesë serioze të përkushtimit qeveritar.

“A janë të vetëdijshëm politikanët tanë se arsimi është themeli i zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe i konkurrueshmërisë të Kosovës në rajon dhe më gjerë?”, pyet Rexhaj.

Ai shton se, pa investime në arsim, Kosova nuk mund të matet as me shtetet fqinjë, e lëre më me botën, në fusha si ushtria, ekonomia apo teknologjia. Për më tepër, largimi masiv i të rinjve për shkak të mungesës së perspektivës tregon krizën e thellë që kërkon ndërhyrje urgjente.

“Pas një çerek shekulli lirie, politikanët tanë duhet të kuptojnë se e ardhmja e Kosovës varet nga arsimimi i brezave të rinj. Përndryshe, rruga jonë do të mbetet në vendnumëro,” përfundon Rexhaj duke shprehur shqetësimin e tij se nuk po sheh asnjë shenjë për ndryshim. /Kosova.info/


Go to TOP