SBAShK: Në Tiranë u vlerësua se nuk ka demokraci pa sindikata
Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës dhe sindikatave të tjera që janë pjesë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, morën pjesë në Konferencën ndërkombëtare me temën kyçe, sindikatat për demokraci, e cila u mbajt para mbajtjes së Kongresit të shtatë, të organizuar nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, përmes një komunikate për media ka njoftuar se udhëheqës sindikal nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe të Evropës kanë alarmuar se sindikatat po kalojnë në momente të vështira e plot sfida, ngase mungon dialogu i duhur social dhe vullneti i qeverive për të zgjidhur kërkesat legjitime të punëtorëve në të dy sektorët.
Tuje thuhet se diskutuesit në këtë Konferencë kanë theksuar se kriter matës se sa vërtetë ka demokraci në një shtet është edhe ai se cila është qasja e qeverive ndaj dialogut dhe ndaj sindikatave.
“Kjo nënkupton se aty ku ka qasje të gabuar dhe refuzuese ndaj sindikatave, aty ka qasje refuzuese edhe ndaj frymës demokratike, apo ka sulm ndaj demokracisë sepse një shoqëri pa dialog e pa sindikata, është një shoqëri jodemokratike sa kërkohet e duhet”, thuhet në komunikatë.
Sipas SBASHK-ut bazuar në diskutimet dhe argumentimet e dhëna në këtë Konferencë ndërkombëtare dhe duke e parë situatën në Kosovë lidhur me dialogun dhe qëndrimin e Qeverisë ndaj sindikatave, del se demokracia i ka punët keq sepse Qeveria në këto katër vite kishte vazhdimisht qasje të gabuar ndaj dialogut dhe sindikatave e madje në momente sikur u ka shpallur edhe luftë me qëllim që të zhbëj aktivitetin e tyre, apo edhe t’i shuaj në tërësi.
“Qeveria Kurti le ta di se duke tentuar t’i dobësojë e shuaj sindikatat, ka goditur lirinë e organizimit sindikal dhe vetë demokracinë”, thuhet në fund të komunikatës.
