Presidentja Osmani në Budapest: Zgjedhja e Trump do të forcojë bashkëpunimin transatlantik
Budapest, 7 nëntor 2024 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sot në mbledhjen e Komunitetit Politik Evropian për rëndësinë e bashkëpunimit euro-atlantik, duke përmendur zgjedhjen e Donald Trump si president të SHBA-së.
Osmani theksoi se Kosova ka përfituar përkrahje bipartizane nga të dyja partitë amerikane për dekada dhe se beson që kjo përkrahje do të vazhdojë edhe me administratën e re të Trump. Ajo përmendi rolin historik të SHBA-së në mbështetjen e Kosovës, duke thënë: “Kosova ka qenë e bekuar me një përkrahje të tillë që nga vitet e 90-ta dhe kemi çdo arsye për të besuar që kjo përkrahje do të vazhdojë.”
Presidentja Osmani theksoi gjithashtu se nuk e sheh zgjedhjen e Trump si një kërcënim, por si një mundësi për të forcuar më tej marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Evropës. “Kosova ka përfituar për dekada nga përkrahja bipartizane e SHBA-së. U bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet dhe u çliruam kur demokratët ishin në pushtet,” tha Osmani.
Ajo përfundoi fjalën e saj duke theksuar se bashkëpunimi transatlantik do të vazhdojë të jetë kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë dhe më gjerë.
