Elezi njofton për afatet e akreditimit të vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e 9 shkurtit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur tre periudha të aplikimit për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm. Afati për certifikimin e subjekteve politike fillon më 22 dhjetor dhe mbyllet më 15 janar. Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi bëri të ditur se në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021, ishin akredituar rreth 30 mijë vëzhgues, shumica e të cilëve përfaqësonin subjektet politike pjesëmarrëse.
“Më 22 dhjetor 2024 do të fillojë periudha për aplikimet e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara nga KQZ për pjesëmarrje në zgjedhje. Ky afat mbyllet më 15 janar 2025. Nga 11 janari do të hapet afati për akreditimin e vëzhguesve të organizatave jo-qeveritare, qeveritare, ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja, i cili përfundon më 25 janar 2025. Ndërsa, nga 21 janari deri më 4 shkurt 2025 do të jetë i hapur afati për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare,” njoftoi Elezi.
Ai shtoi se KQZ do të përgatisë një program informues për vëzhguesit ndërkombëtarë për t’i prezantuar me sistemin zgjedhor në Kosovë.
“KQZ është anëtar i Asociacionit të Zyrtarëve Zgjedhorë Botërorë (A-WEB) dhe ka marrëdhënie të mira me institucione të ndryshme ndërkombëtare që merren me zgjedhje. Jemi në fazën e planifikimit dhe do t’i ftojmë ata të vizitojnë Kosovën dhe të njihen nga afër me sistemin tonë zgjedhor,” tha Elezi.
Elezi theksoi se vëzhgimi i zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për KQZ-në, pasi kontribuon në rritjen e besueshmërisë dhe identifikimin e shkeljeve të mundshme në procesin zgjedhor.
“Vëzhgimi është i domosdoshëm për integritetin e procesit zgjedhor dhe për besimin e qytetarëve dhe aktorëve të tjerë në zgjedhje,” shtoi ai.
Sipas KQZ-së, vetëm vëzhguesit e akredituar do të mund të monitorojnë Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025, si dhe aktivitetet paszgjedhore në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
