Visar Azemi për skandalin e tenderëve në Ferizaj: Duhet të ketë dënime me burg e jo gjoba me para
Visar Azemi nga LDK ka kritikuar pushtetin në Ferizaj për mungesë të integritetit në menaxhimin e tenderëve publikë dhe të parasë publike, duke vënë theksin tek rasti i kompanive Altini dhe Besa. Sipas tij, këto kompani kanë bashkëpunuar me autoritetet për të përfituar në mënyrë të dyshimtë.
“Rasti i kompanive Altini dhe Besa nxjerr në pah mungesën e integritetit të këtij pushteti në menaxhimin e tenderëve publikë dhe të parasë së qytetarëve të Ferizajt. Të dyja kompanitë, në bashkëpunim me pushtetin dhe me njëra-tjetrën, kanë mashtruar dhe përfituar shuma të mëdha në kurriz të qytetarëve dhe taksave të tyre,” tha Azemi.
Ai shtoi se ky nuk është rasti i parë ku pushteti komunal mbështet biznese për të përfituar në mënyrë të paligjshme, çka shpesh i çon ato para gjykatës.
“Tani kemi një biznesmen që pranon fajësinë për fitimin e dhjetëra tenderëve në mënyrë të dyshimtë në Ferizaj dhe, në vend të burgimit, ai dënohet me gjobë prej 5,000 eurosh. Për një vepër që mund të dënohet deri në 5 vite burg, një dënim i tillë është i papranueshëm. Nuk duhet lejuar që individë me lidhje të ngushta politike apo familjare të përfitojnë nga tenderët milionësh, sidomos kur ka dyshime të qarta për korrupsion. Kërkohet një hetim i pandërprerë dhe ndëshkime të ashpra për të gjithë ata që abuzojnë me pushtetin,” theksoi ai.
