Murati: Raporti i Bankës Botërore u keqcitua, me ne gati dyfish më shumë vende pune sesa në qeveritë tjera prej 2012
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se raporti i fundit i Bankës Botërore është “keqcitua”. Në një postim në Facebook, ai theksoi se në fund të vitit 2023 është shënuar “rënia më rapide e regjistruar ndonjëherë” e papunësisë.
Ai pyet se si ka ndryshuar numri i të punësuarve dhe shkalla e papunësisë ndër vite, duke akuzuar media të lidhura me opozitën për keqpërdorimin dhe keqcitim të raportit të Bankës Botërore, duke pretenduar se ky raport kundërshton shifrat e qeverisë.
Murati prezantoi statistika nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke pohuar se “në Qeverinë Kurti janë shtuar pothuajse dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë e mëparshme së bashku, që nga viti 2012.”
Sipas tij, deri në fund të vitit 2023 ka pasur 425 mijë të punësuar, dhe gjatë periudhës 3-vjeçare të Qeverisë Kurti janë krijuar 78,427 vende pune. Në krahasim, qeveritë e mëparshme kanë krijuar 44,228 vende pune gjatë 8 viteve. Ai theksoi se rritja e punësimit në qeveritë e mëparshme ishte e përkohshme, shpesh gjatë fushatave zgjedhore, ndërsa në Qeverinë Kurti, punësimi ka vazhduar të rritet edhe pas zgjedhjeve.
Murati theksoi se shkalla e papunësisë ka rënë nga 25.9% në vitin 2020 në 10.9% në fund të vitit 2023, duke e përshkruar këtë si rënien më rapide të regjistruar ndonjëherë.
Ai shtoi se Qeveria Kurti bazohet në “indikatorin më të saktë” për matjen e punësimit – numrin absolut të të punësuarve – dhe theksoi se në qeverisjen e tij janë krijuar dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë e kaluara.
Murati premtoi që në një postim tjetër të diskutojë shifrën e përmendur nga Banka Botërore, duke theksuar se Qeveria Kurti ka performuar më mirë sesa qeveritë e mëparshme.
Raporti i fundit i Bankës Botërore, i publikuar të enjten, thoshte se papunësia ka rënë në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, ku vetëm 37.1% e popullsisë është e punësuar.
