Manifestimi i Ditës së Zojës së Madhe në Letnicë: Mijëra besimtarë dhe personalitete të arta morën pjesë

Në Letnicë sot u mbajt Manifestimi i Ditës së Zojës së Madhe, ku mijëra besimtarë të besimit katolik dhe të besimeve të tjera morën pjesë në këtë ngjarje tradicionale. Ngjarja u shënua me pjesëmarrjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ishte e shoqëruar nga kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, si dhe përfaqësues të shumtë nga institucionet qendrore dhe lokale, ambasadat, komandës së KFOR-it dhe organizatat vendore e ndërkombëtare.

Pas meshës që u udhëhoq nga ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, Presidentja Osmani mbajti një fjalim të veçantë, ku vlerësoi rëndësinë historike të Letnicës dhe Vitisë. Ajo theksoi lidhjen e Letnicës me figurën e Shën Terezës dhe rolin e Stubllës në historinë e arsimit shqiptar, duke nënvizuar se këto vende duhet të promovohen si destinacione të rëndësishme turistike për Kosovën dhe botën.

Presidentja Osmani, mes të tjerash, u shpreh se “Vitia ka shumë histori, në radhë të parë Letnicën, ku Shën Tereza mori thirrjen për t’i shërbyer botës, dhe Stubllën, me shkollën e parë shqipe. Këto histori duhet t’i tregojmë jo vetëm Kosovës por edhe tërë botës, duke e shndërruar Letnicën dhe Kosovën në një kryeqendër të turizmit dhe vizitave të shumta.”

Ky manifestim vazhdon të mbetet një ngjarje e rëndësishme për komunitetin katolik dhe një pikë referimi për trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të Kosovës.

Go to TOP