Arratisja e Hajrizit dhe Metajt, Drejtori i Burgjeve tregon pse u lanë në pavijone të hapura
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka folur lidhur me arratisjen e Faton Hajrizit dhe Ujkan Metaj, nga institucionet korrektuese.
Dibrani tha se Inspektorati dhe Shërbimi Korrektues po zhvillojnë hetimet e brendshme lidhur me këto raste, por se hetime po zhvillojnë edhe institucionet e sigurisë.
Ai sqaroi edhe pse Hajrizi e Ujkani ishin lënë në pavijone të hapura, pavarësisht lartësisë së dënimeve, ku tha se sipas ligjit obligohen që t’u ofrojnë këto mundësi sapo të dënuarit të përfundojnë gjysmën e dënimit.
“Inspektorati dhe Shërbimi Korrektues janë duke zhvilluar hetimet e brendshm. Janë edhe institucionet e sigurisë duke e bërë punën e vetë dhe ne nuk do t’i dëmtojmë hetimet e këtyre institucioneve. I dënuari Faton Hajrizi ka qenë i dënuar me dënim unik prej 25 viteve. Ai ka përkunduar 1/2 e dënimit në vitin 2019. Legjislacioni në fuqi, por edhe i vjetër, të dënuarve që e përfundojnë ½ e dënimit iu jep të drejtën e shfrytëzimit të beneficionit vikend në shtëpi,në rast se ai ka respektuar rregullat e brendshme, viteve të fundit është sjellur mirë dhe është angazhuar në punë. Ky i dënuar ka përfunduar edhe 2/3 e dënimit në shtator të vitit 2021 dhe për këtë shkak Qendra Korrektuese në Dubravë i ka mundësuar shfrytëzimin e vikendit në shtëpi. Ky person ka shkuar nga qendra korrektuese në Dubravë së paku 4 herë vizitë në familje, poashtu si rezultat i sjelljeve të mira, kthimit në institucion, të njëjtit i është mundësuar edhe kalimi në pavijonin e tipit të hapur”, deklaroi Dibrani.
Ai foli edhe për rastin e personit që u largua nga Burgu i Dubravës mbrëmë.
“I dënuari tjetër për të cilin keni raportuar mbrëmë në media, ka qenë i dënuar me 11 vite burgim. I njëjti në janar të vitit 2024 e ka fituar të drejtën ligjore për shfrytëzim të vikendeve në shtëpi. I njëjti edhe ky ka qenë shfrytëzues i vikendit deri në kohën kur ky ka vendosë që dje të largohet nga institucioni I tipit të hapur”, deklaroi ai.
DIbrani tha se pavarësisht lartësisë së dënimit, kur një i burgosur përfundon gjysmën e dënimit dhe ka sjellje të mira, obligohen që t’ia mundësojnë kalimin e vikendve në shtëpi.
“Ne jemi të obliguar ta zbatojmë secilin ligj që Parlamenti i Kosovës e nxjerr. Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale neve na obligon që edhe nëse dënimi është mbi 20 vite, në momentin kur e përfundon gjysmën e dënimit, ne jemi të obliguar që këtij personi t’I mundësojmë që këtij rasti në rast se ka filluar programet rehabilituese, që t’i mundësohen vikendet në shtëpi”, tha Dibrani.
