Hajrulla Çeku apo Përparim Rama, kush e solli “Mesdheun” në Kosovë?

Më 8 shtator të 2023-ës, Kosova shënoi histori duke u votuar për t’u bërë nikoqire e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.

Kjo u vendos në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare që u mbajt në Heraklion të Greqisë.

Votimi u bë pasi Asambleja ndryshoi një rregullore që ua ndalonte organizimin e këtyre lojërave shteteve të cilat nuk kanë dalje në det, çka i hapi rrugë Kosovës të zgjidhet nikoqire.

Ngjarja e cila do të organizohet në Prishtinë do të mbledhë sportistë nga 26 shtete të botës, dhjetë prej të cilave nuk e njohin Kosovën si shtet.

Për organizimin e kësaj ngjarjeje e cila po konsiderohet historike, Kosova pritet të investojë 250 milionë euro.

Siç ndodhë rëndom në suksese, edhe kësaj radhe të gjithë vrapuan për t’i marrë meritat.

“Lufta” për merita filloi në mes të Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës, duke shpërthyer pastaj edhe mes deputetëve të pozitës e opozitës.

Ndonëse kryeministri ishte më i përmbajtur kur foli për këtë rast.

Në fjalimin e Kurtit nuk dëgjuam ndonjë meritë për kryetarin Përparim Rama apo për vetë komunën e Prishtinës. Por duket se këtë nuk e ka problem i pari i Prishtinës, i cili ditë më parë publikoi draft-propozimin për Masterplanin e fshatit Olimpik në Prishtinë.

Ditën kur u mor vendimi nga Greqia, Rama tha se kjo është arritje e Prishtinës.

Kundër tij dolën dy ministra të Qeverisë Kurti, të cilët me gjuhë aspak të lehtë, e akuzuan të parin e Prishtinës se po i përvetëson punët të cilat nuk janë kryer nga ai.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Ceku, tha se Rama po gënjen sa i përket Lojërave Mesdhetare.

“Vallen” e vazhdoi edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, duke i thënë kryetarit të Komunës së Prishtinës se “po plason gënjeshtra”.

Një përgjigje për deklaratat e ministrave të Qeverisë Kurti, Rama e lëshoi në Facebook.

Tensionit në mes të komunës së Prishtinës dhe Qeverisë nuk i shpëtoi as zëvendësministrja e Sportit, e cila këtë sukses ia atribuoi Qeverisë Kurti 2.

Se kjo ngjarje është meritë e VV-së, konkluduan edhe deputetët e partisë në pushtet në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Hise në këtë sukses mori edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili tha se ka mbajtur premtimin e tij.

Duket se borxhin e Qeverisë, Përparim Ramës ia kthyen liderët e opozitës. Në urimet e tyre, ata vunë në fokus Prishtinën duke e injoruar Qeverinë e Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në një reagim në Facebook, ka shkruar se organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 është një ngjarje historike për sportin, kryeqytetin dhe shtetin e Kosovës.

Në një vijë ishte edhe urimi i kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.

Në kaosin e krijuar nga vrapi se kush i merr i pari meritat, lajmi është se Kosova vërtetë do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030, Prishtina do të presë mysafirë nga 26 shtete, dhjetë prej të cilave nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Go to TOP