Qeveria akuzon familjen se e dogji shtëpinë 300-vjeçare në Mitrovicë, ata e padisin ministrin Çeku
Gjysmën e punëve e kanë kryer. Tashmë ka mbetur t’i vendoset edhe çatia për t’i mbrojtur ato pak gjëra që i mbijetuan zjarrit të fundit të tetorit të këtij viti.
Bëhet fjalë për rrënojat që kanë mbetur nga shtëpia më e vjetër në Mitrovicë.
Shtëpia e cila mbi supet e saj mbart historinë 300-vjeçare, u mbijetoi shumë luftërave dhe i rezistoi edhe motit e kohës, por jo edhe flakëve të natës së 31 tetorit.
Adnan Koroglu është njëri nga pronarët e kësaj shtëpie. Ai është më i vjetri nga familja, historia e së cilës u dogj nga flakët.
Ai del shpesh në këtë vend për të parë se si po ecin punimet në shtëpinë e etërve të tij.
Djegia e saj thotë se e ka mërzitur fort, pasi që, siç shprehet ai, aty lindën gjyshi e stërgjyshi i tij, aty u rritën breza të shumtë të familjes Koroglu.
Mes dhimbjes që flakët zhdukën një pjesë të historisë së familjes, Adnani u thye edhe kur u arrestua në natën kur shtëpia u përfshi nga flakët, nën dyshimin se ai ishte shkaktari i zjarrit. Madje u akuzua edhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Hetuesit dyshonin se zjarri u shkaktua nga disa bidonë me lëndë djegëse që ndodheshin në shtëpinë 300-vjeçare të familjes Koroglu, por që ato nuk ishin larguar nga aty edhe kur nisi restaurimi, pasi familja këmbëngulte se nuk ishin të rrezikshme.
Ky fakt e bën të hesht edhe sot 78-vjeçarin, pasi nuk pranoi të flasë para kamerave as për akuzat e as për largimin e bidonëve që thuhet se shkaktuan zjarrin.
Historia e kësaj shtëpie dhe konflikti me shtetin ka nisur që në vitin 1972, kur ajo u vendos nën mbrojtje shtetërore si një objekt me rëndësi të veçantë.
Tash e 51 vjet, familja Koroglu ka të njëjtën kërkesë – kompensimin e pronës së tyre.
Për Kiks Kosovën ka folur avokati i familjes, Bajram Halimi, i cili ka rrëfyer se familja Koroglu vazhdimisht ka provuar të kontaktojë me ministri e qeveri, për mbështetje financiare.
Familjes Koroglu i ka mbetur shumë hatri te ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.
Ai pretendon se i njëjti edhe e kishte kërcënuar Adnanin në oborrin e shtëpisë, një ditë pas flakëve kur pati shkuar për ta parë gjendjen e shtëpisë më 1 nëntor të këtij viti.
E për këtë, ata kanë paralajmëruar edhe padi.
Halimi thotë se shteti u ra në qafë pa fakte, pasi i akuzon se ata kanë dorë në djegien e shtëpisë, e madje edhe për tentimin e rrënimit të saj para disa vitesh.
Ndërkaq, përfaqësues të organizatave kulturore e shohin shqetësuese djegien e objekteve të trashëgimisë.
Ata bëjnë thirrje që raste të tilla të mos përsëriten, derisa këto objekte e asete të shihen si vlera të shtetit.
Ndërkaq, ata e vlerësojnë si të rëndësishëm trajtimin me seriozitet të këtyre rasteve nga ana e institucioneve.
Që nga viti 2007, familja Koroglu nuk jetoi më në shtëpinë më të vjetër të Mitrovicës.
Nëntë anëtarët që strehoheshin aty u shpërndanë në shtëpi të tjera.
