Prezantohet platforma e re për Dialog Publiko-Privat dhe plani i Agjencisë për Investime dhe Eksport

Zyra e Kryeministrit, me mbështetjen e qeverisë zvicerane dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka organizuar sot Konferencën për Dialogun Publiko-Privat, gjatë të cilës u prezantua ‘Forumiks’, platforma e dialogimit midis sektorit privat dhe qeverisë, si dhe plani për Agjencinë e re për Investime dhe Eksport, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishte kryeministri Albin Kurti. Në fjalën e tij ai tha se u mblodhën sot me një slogan fort frymëzues “Fuqizimi i Progresit Nëpërmjet Dialogut”, duke u shprehur optimist se kërkesat dhe nevojat do të mund të hasin në mirëkuptim, pikërisht duke e shtuar dialogun e institucioneve publike, shtetërore e qeveritare me sektorin privat, që paraqet themelin e rritjes së zhvillimit dhe progresit ekonomik e shoqëror të Republikës së Kosovës.

Ky lloj dialogimi, tha më tej kurti, bëhet nëpërmjet katër shtyllave kryesore, (1) Sektori Privat, (2) Institucionet Publike, (3) Organizatat Ndërkombëtare dhe (4) Organizatat Jo-Qeveritare dhe se të katër këto shtylla nëpërmjet dialogut publiko-privat projektojnë vizonin më të mirë të mundshëm mbi konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin për prosperitetin e vendit dhe të qytetarëve tanë.

“Qytetarët e këtij vendi, bashkëkombësit tanë nëpër botë, dhe aleatët tanë ndërkombëtarë duhet ta kemi së bashku një synim të vetëm: Ta bëjmë Kosovën me ekonomi dhe sektor privat super-konkurrues”, potencoi Kurti.

kurti platforma

Konkurrueshmëria, siç tha ai, sjellë më shumë prodhim dhe eksport, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie, më shumë të hyra për shtetin, që pastaj investohen në arsim e në shëndetësi dhe kësisoj vazhdon cikli virtuoz ku rezultatet çojnë në një zinxhir vetë forcues të zhvillimit të shpejtë të qëndrueshëm të pakthyeshëm.

Kryeministri u shpreh i bindur që me vullnetin e mirë që ekziston tek bizneset dhe shoqatat e tyre, tek qeveria, dhe të gjithë akterët në ekosistemin e sektorit privat e publik bashkë të gjithë do të mund t’i shndërrojmë idetë në realitet dhe vizionin për zhvillim në arritje konkrete.

Në këtë konferencë, shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, prezantoi planin për Agjencinë për Investime dhe Eksport dhe platformën e re për Dialog Publiko-Privat. Ai tha se forcë shtytëse e bizneseve është konkurrueshmëria përmes rritjes së cilësisë dhe sasisë së prodhimit dhe eksportit.

Go to TOP