300 shkolla përfunduan Javën `Ora e Kodimit`, u zhvilluan qindra aktivitete
Në afër 300 shkolla vullnetare të Kosovës sot përfundojnë aktivitetet në kuadër të Orës së Kodimit, ku janë zhvilluar qindra aktivitete. Drejtues të shkollave po vlerësojnë së këto aktivitete janë mirëpritur nga nxënësit dhe mësimdhënësit.
Sot përfundojnë aktivitetet në kuadër të Javës “Ora e Kodimit”, e cila ka sjellë shumë risi dhe aktivitete në afër 300 shkolla pjesëmarrëse. Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemaili” në Prishtinë, ishte një prej shkollave pjesëmarrëse në këto aktivitete. Drejtoresha Mimoza Krasniqi i tha Radio Kosovës së nxënësit e përfshirë kanë shfaqur një interesim të jashtëzakonshëm.
“Ora e kodimit është mbajtur me nxënësit e klasave parashkollore ku është përzgjedhur një klasë. Ligjëratat kanë funksionuar shumë mirë. Entuziazmi i tyre ka qenë i papërshkrueshëm për arsyes se ju kanë bërë përshtypje figurat, ndërlidhja e figurave në mënyrë logjike, numrat që kanë rrjedhur në mënyrë logjike ku në të njëjtën kohë i kanë parë dhe i kanë shkruar”, tha Mimoza Krasniqi.
Ministria e Arsimit këtë aktivitet po e vlerëson si një mundësi të jashtëzakonshme për vendin për të promovuar kodimin dhe edukimin e shkencave kompjuterike. Në një përgjigje më shkrim për Radio Kosovën, kjo ministri ka bërë të ditur se nxënësit nga sesionet praktike të kodimit do të ndihmohen edhe për orientim në karrierë.
“Kjo nismë është një mundësi e jashtëzakonshme për vendin tonë për të promovuar kodimin dhe edukimin e shkencave kompjuterike. Kjo iniciativë do të përfshijë një gamë të larmishme të aktiviteteve, duke filluar nga sesionet praktike të kodimit deri te bisedat për orientim në karrierë”.
Ky projekt është gjithëpërfshirës, prej parashkollor deri te nxënësit e nivelit të mesëm të lartë (K1-12). Shkollat ku janë realizuar këto aktivitete janë nga të gjitha komunat e Kosovës.
