Hoti: Në gjysmë të muajit policët nuk e kanë asnjë cent në llogari

Pavarësisht mungesës së deputetëve të pozitës, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje, ka vendosur që të dëgjohen përfaqësuesit e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

“Sot ne kemi planifikuar të mbajmë takim me Komisionin për të Drejtat e njeriut, me sindikatën e Policisë. Me rregullore te kuvendit nuk kemi plotësuar kushtet për vazhdim të mbledhjes sepse nuk ka kuorum. Por kemi bë marrëveshje me deputetët që të respektojmë sindikatën dhe të dëgjojmë prej juve peticionin që keni sjellë tek ne. Ne nuk kemi takim zyrtar, nuk po duam mëditje as kurrgjë, po dëshirojmë me vullnet personal të ju dëgjojmë”, ka thënë ajo.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, para deputetëve të pranishëm në komision, ka listuar kërkesat e renditura në peticion, duke theksuar nevojën për sigurime shëndetësore dhe shtesat për rrezikshmëri.

Kurse, nënkryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avni Hoti, ka thënë se përfaqëson të gjithë kolegët e tij.

“Dy ngjarjet e djeshme, njëra në parlament, e tjetra në konferencë për shtyp, më kanë shty me ardhur këtu sot. Dy taborre që luftojnë njëra tjetrën. Luftën kryesore, kauzën kryesore e kanë Policinë e Kosovës. Këta njerëz që sa vjet pas lufte nuk i zgjidhen problemet e policëve, as pozita e as opozita”, ka theksuar Hoti.

Ai i ka lutur deputetët që të mos e bëhet kauzë, Policia e Kosovës.

“Nuk kemi tjetër partner social përveç Qeverisë së Kosovës. Me disa gjana po na dëmtoni, mos na përdorni. Lutje publike nga gjithë policët e Kosovës zgjidhni problemet tona. Kur një polic i Kosovës është gjetur i vrarë, në gjep i ka pasur vetëm 1.70 cent, të gjithë janë në kredi. Në gjysmë të muajit ata nuk e kanë asnjë cent në llogari, me paga të vogla, pa shujta, pa shtesa të rrezikshmërisë e pa sigurime shëndetësore”, ka deklaruar ai.

Mungojnë deputetët e pozitës, dështon shqyrtimi i peticionit të Sindikatës së Policisë

Në mungesë kuorumi ka dështuar shqyrtimi i peticionit të Sindikatës së Policisë së Kosovës. Deputetët e pozitës, anëtarë të këtij komisioni nuk kanë marrë pjesë në mbledhje.

Por, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje, vendosi që pavarësisht mungesës se kuorumit t’i dëgjojnë përfaqësuesit e Sindikatës sё Policisë sё Kosovës.

Në mbledhje janë deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, Marigona Geci nga LDK dhe Albana Bytyqi nga AAK.

Pesë deputetët e grupi parlamentar të LVV-së, Arjeta Fejza, Fatmire Kollaku, Labinotë Demi, Drita Millaku, Nasuf Bejta munguna në mbledhje të komisionit.

Go to TOP