Importet e gazit të lëngshëm rus nga BE-ja rriten me 40% që nga pushtimi i Ukrainës

Importet e Bashkimit Evropian të gazit të lëngshëm natyror rus, janë rritur me 40 për qind që nga pushtimi i Ukrainës, pavarësisht përpjekjeve për të shkurtuar furnizimet.

Flukset e tubacioneve nga Rusia kanë rënë në nivelet më të ulëta historike, por dërgesat e gazit të lëngshëm natyror rus, nga e gjithë bota janë rritur.

Shtetet anëtare të BE-së kanë blerë më shumë se gjysmën e LNG-së të Rusisë në treg në shtatë muajt e parë të këtij viti, sipas analizës së të dhënave nga “Kpler”, e cila gjurmon trafikun detar dhe të cisternave.

Spanja dhe Belgjika, të cilat veprojnë si portat kryesore për furnizimet me LNG-në në bllok, janë shfaqur si konsumatorët e dytë dhe të tretë më të mëdhenj të LNG-së ruse, respektivisht pas Kinës.

“Vendet e BE-së tani blejnë shumicën e furnizimit të Rusisë, duke mbështetur një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave të Kremlinit”, tha Jonathan Noronha-Gant, një aktivist i lartë i karburanteve fosile në grupin kundër korrupsionit “Global Witness”, i cili bëri analizën, shkruan “The Guardian”.

Rrjedha e gazit të gazsjellësit të Evropës nga Rusia ka rënë në nivelet më të ulëta historike që nga pushtimi i Ukrainës vitin e kaluar, por për të kompensuar mungesën, dërgesat e LNG-së së ftohur nga e gjithë bota, përfshirë Rusinë, janë rritur dhe nuk janë subjekt i ndonjë sanksioni të BE-së.

Vendet e BE-së blenë 22 milionë metra kub gaz të lëngshëm natyror rus, midis janarit dhe korrikut 2023, krahasuar me 15 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2021, tha “Global Witness”.

Go to TOP