De Bruyne: Nuk do të jetë lehtë ndaj Interit, është një moment i rëndësishëm

Futbollisti Manchester Cityt, Kevin De Bruyne beson se Interi nuk duhet nënvlerësuar në finale të Ligës së Kampionëve.

De Bruyne thotë se City duhet të zhvillojë të njëjtën lojë siç bën zakonisht.

“Nuk mendoj se do të ndryshojmë diçka. Do të përpiqem të relaksohem dhe të përgatitem siç bëj para çdo ndeshjeje. Do të përpiqem të jem gati”, tha ai.

“Ne festuam titullin e Premierligës pas fitores kundër Chelseat, por pas finales së FA Cup, unë shkova direkt në shtëpi; gruaja ime ishte e zënë, kështu që unë kujdesesha për fëmijët dhe kalova disa ditë pushimi me familjen time”.

Man City është favorit për të ngritur trofeun, por De Bruyne nuk i nënvlerëson Nerazzurrët.

“Nuk mund të arrish në finalen e Ligës së Kampionëve nëse nuk je një ekip i fortë”, tha ai.

“Interi ka fituar Kupën e Italisë dhe ka fituar pothuajse të gjitha ndeshjet e tyre në fund të sezonit. Ata kanë një identitet të qartë dhe një sistem të mirëpërcaktuar. Askush nuk mendon se do të jetë e lehtë kundër Interit dhe është një finale, kështu që ne kemi të njëjtat shanse.

“Ne duhet të shënojmë një gol më shumë dhe të mbrohemi më mirë se ata. Është gjithmonë e njëjta histori, për të qenë i sinqertë, mendoj se duhet të luajmë siç dimë”.

De Bruyne do të ribashkohet me mikun dhe bashkatdhetarin e tij Romelu Lukaku në Stamboll.

“Të them të drejtën, nuk kam folur me të për një kohë, që nga hera e fundit që luajtëm për Belgjikën”, tregoi KDB.

“Ne të dy kemi qenë shumë të zënë. Romelu është një nga miqtë më të mirë që kam në futboll, ne jemi njohur që kur ishim 13-14 vjeç. Kjo është vetëm një lojë, por pas saj, ne do të jemi sërish miq dhe do të takohemi me kombëtaren javën e ardhshme”.

A do të konsiderohet Manchester City skuadra më e mirë në histori nëse fiton Ligën e Kampionëve?

“Nuk e di nëse jemi skuadra më e mirë ndonjëherë, por fitimi i Ligës së Kampionëve do të ndihmonte”, pranoi mesfushori.

“E di që tripleta do ta ndihmonte ekipin, por rezultati i finales nuk do të ndryshojë rrugën time apo atë që ka bërë ky ekip gjatë viteve”.

“Ne përpiqemi të fitojmë çdo ndeshje pavarësisht kundërshtarit, e dimë se është një moment i rëndësishëm, por sa më shumë të jemi të relaksuar aq më shumë gjërat do të jenë të lehta”.

Manchester City humbi finalen në 2021 kundër Chelseat, ndërsa Interi e ka ngritur trofeun tre herë.

Interi ka humbur dy finale, një në 1967 kundër Celtic dhe një tjetër në 1972 kundër Ajax të Johan Cruijff.

Go to TOP