Xavi konfirmon takimin e Barcelonës me La Liga-n për rikthimin e mundshëm të Leo Messit
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka konfirmuar se klubi është takuar me La Liga-n për të diskutuar rikthimin e mundshëm të Lionel Messit.
Argjentinasi pritet të largohet në verë si agjent i lirë pas dy viteve në “Parkun e Princave” dhe Barcelona është duke bërë çmos për ta kthyer në “Camp Nou”.
Katalunasit vazhdojnë të kenë probleme në anën financiare prandaj rikthimi i shtatë herë fituesit të Topit të Artë nuk është e lehtë.
Sidoqoftë, Xavi ka konfirmuar se janë duke diskutuar me Barcelonën për të parë si ka mundësi të arrihet marrëveshja.
“Po (Barcelona u takua me La Liga-n), por jo vetëm për arritjen e mundshme të Leos. Do të shohim që ta përmirësojmë skuadrën vitin tjetër, por nuk është problem i rëndësishëm – ende ka kohë për ta fituar ligën“.
“Kemi një ndeshje kyçe dhe kjo është problemi kryesor. Ajo tjetra është punë e Mateut dhe ai do të na informojë, por në përgjithësi gjithçka po shkon mirë. Në fund, nuk e dimë a do të ndodhë ose jo. Është shumë herët të flasim. Jemi të fokusuar te ndeshja ndaj Betisit dhe fitimi i La Liga-s. Do të flasim më vonë për nënshkrimet e mundshme“.
Messi në anën tjetër është gjithashtu duke shpresuar që Barcelona t’i bëjë ofertë zyrtare, prandaj ka ndalur negociatat me PSG-në si dhe po heziton t’i konsiderojë ofertat si ajo e Al Hilal (400 milionë euro për vit).
