Itali, vajza 5-vjeçe përfundon në spital pasi pi gabimisht kokainën e babait

Një vajzë pesëvjeçare përfundoi në spital lidhur me një dehje nga kokaina, pasi babai e kishte futur drogën në një gotë me ujë.

Ngjarja ka ndodhur në një shtëpi në Ravenna në festën e Krishtlindjes.

Babai tha se ai bëri një gabim, që nuk mund ta kompensojë. Dyshohet se ai ka derdhur aksidentalisht pluhurin e kokainës në ujë në vend të ilaçeve të dedikuar për vajzën e vogël.

Babai më pas telefonoi urgjencën, i shqetësuar për gjendjen e fëmijës.

Vajza e vogël u dërgua fillimisht në dhomën e urgjencës në Ravenna dhe më pas në spitalin Sant’Orsola në Bolonja për t’u shtruar në njësinë e kujdesit intensiv pediatrike.

Mjekët arritën ta stabilizojnë, por duhet më shumë kohë për të përcaktuar gjendjen e saj të përgjithshme.

Policia e cila ka ndërhyrë me urgjencë pas denoncimit të personelit mjekësor, po mbledh informacion edhe përmes skuadrës së lëvizshme.

Nga këqyrja fillestare në shtëpinë e fëmijëve, të kryer me Departamentin e Mjekësisë Ligjore, janë gjetur gjurmë kokaine.

Ndërkohë, prokuroria ka hapur dosjen për plagosje të rëndë nga pakujdesia.

Go to TOP