Zgjedhjet në Iran: Pezeshkian dhe Jalili do të përballen në rundin e balotazhit

Autoritetet zgjedhore në Iran bënë të ditur se ligjvënësi reformist, Masud Pezeshkian, dhe kandidati i linjës së ashpër, Jalili, do të përballen në rundin e balotazhit për zgjedhjet presidenciale, që do të mbahet më 5 korrik.

Më herët gjatë 29 qershorit, rezultatet paraprake treguan se ligjvënësi reformist Masud Pezeshkian kishte një epërsi të ngushtë, por në rritje ndaj tre kandidatëve të tjerë, teksa iranianët po presin rezultatet finale që kanë pak të ngjarë të rezultojnë në ndryshime të mëdha politike.

Në rezultatet e publikuara nga komisioni zgjedhor mëngjesin e 29 qershorit, Pezeshkian ka fituar 43.5 për qind të votave, duke kaluar ish-negociatorin e bisedimeve bërthamore Saeed Jalili, i cili ka fituar 37.7 për qind të votave. Ish-kryeparlamentari iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, ka fituar 14 për qind të votave.

Kandidati i katërt, Mostafa Purmohammadi, ka ngecur shumë prapa.

Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk fiton shumicën, atëherë dy kandidatët më të votuar do të përballen në rundin e balotazhit më 5 korrik.

Të katër kandidatët u verifikuan dhe u miratuan nga Këshilli i Gardës, një mbikëqyrës kushtetues, anëtarët e të cilit janë drejtpërdrejt apo tërthorazi të emëruar nga udhëheqësi suprem, ajatollah Ali Khamenei.

Rezultati i zgjedhjeve ka pak të ngjarë të rezultojë në ndryshime të mëdha politike, por mund të ketë ndikim se kush do ta pasojë Khamenein, i cili ka qenë lider suprem i vendit që nga viti 1989.

Qalibaf është ish-komandant i krahut ajror të Gardës Revolucionare Islamike dhe për një kohë të gjatë ka shërbyer si kryetar i Teheranit. Ai në 20 vjetët e fundit ka garuar katër herë për president.

Gjatë karrierës së tij, ai është përballur me akuza për korrupsion, por as këto skandale nuk kanë prishur raportet e tij me Khamenein.

Pezeshkian është anëtar i Parlamentit që nga viti 2008 dhe ka shërbyer si nënkryetar i këtij institucioni nga viti 2016 deri më 2020, kur reformistët dhe të moderuarit kishin shumicën në Parlament.

Ai ka vënë në pikëpyetje metodat që përdor Irani për të detyruar mbajtjen e hixhabit nga gratë dhe vajzat dhe është shprehur në favor të negociatave të Perëndimit. Por, në zgjidhet, ai duhet të ndjekë politikat e Khameneit.

Dalja në zgjedhje ishte pak më e lartë sesa e zgjedhjeve paraprake presidenciale të vitit 2021, kur dalja në votime ishte shumë e ulët.

Disidentët brenda dhe jashtë Iranit kanë bërë thirrje për bojkot, duke argumentuar se votimet nuk do të sjellin ndryshime.

Lideri suprem i Iranit ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore dhe presidenti nuk ka shumë pushtet sa i përket çështjeve kyçe.

Zgjedhjet presidenciale në Iran u mbajtën pas vdekjes së presidentit paraprak Ebrahim Raisi, gjatë rrëzimit të helikopterit me të cilin ai po udhëtonte më 19 maj.

Shumë iranianë i janë referuar atij si “Kasapi i Teheranit”, për shkak të rolit të pretenduar të Raisit në ekzekutimin masiv të të burgosurve politikë më 1988, kur ishte zëvendësprokuror në Teheran.

Go to TOP