Vërshime në Dragash, situata e rëndë

Kosova është përfshirë nga reshje shiu, duke shkaktuar përmbytje në disa qytete.

Kështu, në komunën e Dragashit ka pasur vërshime të mërkurën, teksa situata është cilësuar shumë e rëndë. 

Banorët e fshatit Kukë të Komunës  së Dragashit, thanë se gjendja është jashtëzakonisht e rëndë nga reshjet e shiut dhe gjithçka është e papërballueshme. Ata kanë theksuar se gjithçka është shkatërruar brenda dy minutave.

Drejtori i Administratës së Komunës së Dragashit, Vetim Ramadani, ka thënë se  fshati Kukë është më i dëmtuari, gjithashtu edhe fshati Kosavqe, por që, fatmirësisht, siç tha ai, nuk ka dëme në njerëz nga këto vërshime.

E Shaqir Ukaj, komandant i Stacionit Policor në Dragash, tha për RTKlive se, që nga mesdita, Dragashi është përfshirë nga të reshurat shumë të dendura. Ai tha se janë aktivizuar të gjithë, është krijuar shtabi i emergjencave, por, megjithatë, përmbytjet e kanë bërë të vetën dhe dëmet janë të konsiderueshme.

“Ka përmbytje gjithandej, sepse të gjitha përroskat kanë dalë nga shtrati. Ka dëme të mëdha nëpër shtëpi, në rrugë e në infrastrukturë. Të gjitha fshatrat janë të përfshira , ka pasur të reshura shumë të mëdha prej 12.30”, tha Shaqir Ukaj.

Go to TOP