Turqia pret një delegacion taliban

Ndihma humanitare, migracioni, transporti ajror dhe tregtia do të jenë tema të diskutimit të një delegacioni të talibanëve me zyrtarë të Turqisë.

Ministri i Jashtëm në detyrë i qeverisë së udhëhequr nga talibanët në Afganistan, Amir Khan Muttaqi do të takojë më 14 tetor ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu në Ankara.

Talibanët e rrëzuan qeverinë afgane të mbështetur nga Perëndimi në gusht pas një ofensivë të shpejt në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta, derisa forcat e huaja të udhëhequra nga SHBA-ja po tërhiqeshin duke i dhënë fund konfliktit dy-dekadash.

Edhe pas tërheqjes së vendeve perëndimore nga Afganistani dhe evakuimit të personelit të tyre, Turqia, e cila është anëtare e NATO-s, e mbajti të hapur ambasadën e saj në Kabul.

Ankaraja ka bashkëpunuar me Katarin për të ndihmuar në operimin e aeroportit të Kabulit dhe rihapjen e tij për udhëtime ndërkombëtare.

Ekonomia e Afganistanit është buzë kolapsit pasi fondet e huaja janë ndërprerë.

Çmimet e ushqimeve dhe papunësia ka shënuar rritje. Qeveria e talibanëve nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar pasi ndaj tyre janë vënë kushte që përfshijnë respektimin e të drejtave të njeriut.

Vizita e delegacionit taliban në Turqi vjen një ditë pasi ministri Çavusoglu u tha gazetarëve se ai dhe ministrat nga vendet e tjera planifikojnë të vizitojnë Kabulin për bisedime me talibanët.

Go to TOP