Trump shpallet fajtor për falsifikimin e të dhënave të kompanisë në një gjyq historik

Donald Trump është shpallur fajtor për falsifikimin e regjistrave biznesore të kompanisë, duke u bërë ish-presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale.

Pas diskutimeve rreth dyditore, 12 anëtarët e jurisë e shpallën fajtor Trumpin për të gjitha 34 akuzat me të cilat ngarkohej.

Për të arritur një aktgjykim, nevojitej njëzëshmëri mes anëtarëve të jurisë.

Juria në Nju Jork e shpalli Trumpin fajtor të enjten mbrëma për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.

Falsifikimi i regjistrave biznesore dënohet deri më katër vjet burgim, por prokurorët nuk kanë thënë nëse ata synojnë të kërkojnë burgim për të, dhe nuk është e qartë nëse gjykatësi do të marrë vendim për dënimin e tij me burgim edhe nëse i kërkohet.

Ky dënim, e madje as burgimi i mundshëm, nuk do t’ia ndalojnë Trumpit vazhdimin e garës për president të Shteteve të Bashkuara.

Gjykimi ndaj tij nisi në prill dhe gjykatës i rastit ishte Juan Merchan, i cili e caktoi 11 korrikun si datë kur do t’i shqiptohet dënimi Trumpit.

Trump pritet të nominohet formalisht kandidat për president të SHBA-së nga Partia Republikane në korrik, pak ditë pasi do t’i jetë shqiptuar dënimi në këtë rast.

Trump mbajti qëndrim kokëfortë para vendimit të jurisë, duke pretenduar se ai është “njeri i ndershëm” dhe se “aktgjykimi i vërtetë do të jepet nga populli më 5 nëntor”, duke iu referuar datës të zgjedhjeve presidenciale.

Trump gjithashtu la të kuptohej se ekipi i tij ligjor do të bëjë ankesë ndaj vendimit të sotëm.

Në mars të vitit të kaluar u ngrit aktakuzë ndaj Trumpit se e kishte rimbursuar avokatin e vet të atëhershëm, Michael Cohen, pasi ky i fundit ia kishte paguar 130.000 dollarë aktores pornografike Stormy Daniels.

Daniels pretendoi se Trump kishte kryer marrëdhënie seksuale me të në vitin 2006.

Trump u akuza se i kishte mbuluar rimbursimin e Cohenit si shpenzim ligjor, me qëllim për ta fshehur pagesën për blerjen e heshtjes së Danielsit.

Trumpi e ka mohuar se ka pasur marrëdhënie seksuale me Danielsin.

Prokurorët thanë se rimbursimi u paraqit rrjeshëm për ta fshehur natyrën e vërtetë të transaksioneve. Të gjitha 34 akuzat ndaj tij kishin të bënin me fatura, çeqe dhe librin e detajuar të llogarive që u listuan si “pagesa ligjore” për Cohenin.

Go to TOP