Tiranë, prokuroria sekuestron 50 milionë euro pasuri të shtatë personave

Në Tiranë, prokuroria sekuestroi sot pasuri të shtatë personave, mes tyre të dënuar më parë në Belgjikë për trafikim të lëndëve narkotike dhe të tjerë që bashkëpunuan për të fshehur pasuritë e paligjshme.

Pas bashkëpunimit me seksionin e krimit ekonomik të drejtorive të policisë, doganave dhe tatimeve, prokuroria sekuestroi pasuritë e këtyre shtetasve si dhe pasuritë e 14 shoqërive tregtare nën administrim të tyre në një vlerë prej 50 milionë euro.

Krahas sigurimit pasuror të llogarive bankare, në këto sekuestro përfshihen 5 mijë e 720 metër katrorë tokë arë, si dhe ndërtesa mbi 2 mijë e 500 metër katrorë, prona të këtyre 14 shoqërive tregtare.

Dy vila me sipërfaqe të përbashkët mbi 505 metër katror dhe parcela toke mbi 850 metër katrorë, një apartament 201 metër katrorë, si dhe një truall me vlerë 370 mijë euro.

Nga pasuritë e tre prej bashkëpunëtorëve u sekuestruan dy automjete prej 117 mijë euro, dy garazhe rreth 25 mijë euro, dy dyqane prej mbi 720 metër katrorë, si dhe dy njësi tregtare me vlerë mbi 690 mijë euro.

Ata dyshohen se kanë kryer në bashkëpunim mes tyre veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale, ku mendohet se kanë përfshirë edhe bashkëshortet e tyre.

Njëri prej tyre është i dënuar në Belgjikë dhe ka kryer atje dënimin në kuadër të grupeve kriminale, ndërsa prokuroria njoftoi se nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, ka krijuar dyshimin se ai ka kryer kontrabandë me mallra të licencuara.

“Ky person ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin që të maskojë aktivitete të paligjshme, disa prej tyre nën administrimin e dy bashkëpunëtorëve të tij, duke krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale”, detajohet në raportin e prokurorisë.

Mes këtyre veprimeve fiktive janë shitjet dhe blerjet e automjeteve me çmime të larta, marrja e kredive të pajustifikuara nëpër banka, krijimi i shoqërive fiktive, të cilat kanë regjistruar rritje të dukshme të kapitalit fillestar pa kryer aktivitet financiar, dhënia e huave në shuma të konsiderueshme pa justifikuar burimin e ligjshëm të tyre, krijimi i shoqërive të përbashkëta me kuota të larta e të pashlyera mes këtyre bashkëpunëtorëve, si dhe blerja e hidrocentraleve me vlera të konsiderueshme pa përligjur burimin e të ardhurave.

Go to TOP