Tifozët shqiptarë `pushtojnë` edhe Dyseldorfin

Në prag të ndeshjes vendimtare të Shqipërisë me Spanjën në xhiron e tretë në Grupin B për Euro 2024, atmosfera në qendër të Dyseldorfit gjatë gjithë ditës ka qenë elektrizuese.

Mijëra tifozë shqiptarë kanë mbushur rrugët e qytetit gjerman, duke krijuar një skenë të jashtëzakonshme dhe plot pasion kuqezi.

Kjo ndeshje është e një rëndësie të veçantë për ekipin shqiptar, i cili ka një shans historik për të arritur në 1/8 e finales së Kampionatit Evropian, diçka që nuk ka ndodhur më parë. Me një fitore kundër Spanjës, kuqezinjtë do të sigurojnë kualifikimin dhe do të shkruanin një faqe të re në historinë e futbollit shqiptar.

Tifozët shqiptarë, të veshur me flamuj kombëtarë dhe simbole të skuadrës, kanë krijuar një atmosferë të zjarrtë me këngë, brohoritje dhe valëvitje flamujsh.

Ndeshja Shqipëri-Spanjë pritet të jetë shumë emocionuese dhe e vështirë, por entuziazmi dhe mbështetja e madhe e tifozëve shqiptarë në Dyseldorf do t’i japin shtytje morale kuqezinjve në fushën e gjelbër përballë një ekipi tejet të fortë.

Go to TOP