Tahiri për anulimin e Ligjit për Byronë: Fitore e shtetit të së drejtës

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar pas anulimit të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Tahiri përmes një shkrimi në Facebook tha se ky anulim është fitore e sundimit të ligjit dhe e të drejtave të njeriut.

“Anulimi i Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është fitore e Shtetit të së Drejtës përballë përpjekjeve të vazhdueshme arbitrare të këtij pushteti për të zëvendësuar drejtësinë që duhet ta japin gjykatat me një byro partiake që do të shkatërronte sigurinë juridike të qytetarëve në emër të “reformës” në drejtësi.

Kjo është fitore e sundimit të ligjit dhe e të drejtave të njeriut mbi tendencën për frikësim e shantazh nga pushteti”, ka thënë Tahiri.

Ai thotë se ky ligj është dëshmi që pushtetit më shumë i intereson propaganda sesa shteti ligjor.

“Po ashtu, ky Ligj, i rrëzuar sot nga Gjykata Kushtetuese, ishte kundër standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, sepse ishte një kopje e ligjit të Bullgarisë, i cili, vitin e kaluar, u rrëzua nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Falënderoj deputetët e PDK-së dhe ekspertët tanë për punën profesionale në argumentimin e suksesshëm të rastit, si dhe për vendosmërinë që bindjen dhe drejtësinë të mos ia nënshtrojnë propagandës dhe narracioneve populiste”, ka shkruar në Facebook, Abelard Tahiri. /Kosova.info/

Go to TOP