Skriniar mendon se Sllovakia ka shanset e veta ndaj Anglisë

Mbrojtësi i njohur sllovak, Milan Skriniar, ka shprehur optimizmin e tij për përballjen ndaj Anglisë në prag të ndeshjes së 1/16 të finales së Euro 2024.

Kombëtarja sllovake do të përballet me një nga skuadrat më të forta të këtij turneu, por Skriniar beson se ai bashkë me shokët e tij kanë shanse reale për të kaluar në çerekfinale.

“Ne jemi të vetëdijshëm se Anglia është një nga skuadrat më të mira të pranishme në këtë fazë të turneut, por ne do të kemi shansin tonë nëse sillemi vërtet si skuadër. Duke parë ndeshjet e tyre, ne e kuptuam se ata nuk ishin gjithmonë në më të mirën e tyre dhe u mbështetën shumë në cilësitë individuale të lojtarëve të tyre”, është shprehur Skriniar.

Fitorja kundër Belgjikës ka rritur besimin e skuadrës sllovake dhe Skriniar beson se ky sukses tregon aftësinë e tyre për të mposhtur këdo. “Duke fituar kundër Belgjikës, ne treguam se mund të mposhtim këdo. Natyrisht që do të duhet të jemi të fortë në mbrojtje. Por duhet gjithashtu dhe mbi të gjitha të zhvillojmë futbollin tonë, të jemi aktiv, ta detyrojmë Anglinë të luajë me ritmin tonë, duke ndjekur mënyrën tonë të lojës”, ka thënë ai. 

Go to TOP