Sërish ndalet puna në Trepçë, punëtorët ende s`e kanë marrë pagën e plotë

Nga e premtja e javës së kaluar sërish ka ndaluar puna në minierën e Trepçës në Stantërg. Kjo për shkak se punëtorët ende nuk e kanë marrë pagën e plotë të majit. Pas grevës së tyre 11-ditore u ishte premtuar se pagat do t`i merrnin me kohë, por kryeshefi ekzekutiv thekson se kjo situatë do të vazhdojë t`i përcjellë nëse nuk gjenden zgjidhje afatgjate nga Qeveria, e jo vetëm zgjidhje afatshkurtra.

 Më datën 14 ata kanë marrë vetëm 68 për qind të pagës për muajin maj.

“Për momentin po thonë nuk ka para me i qitë edhe këtë pjesën tjetër që ka mbetë. Puna për këtë arsye është ndalë, nuk po dojnë me punu. Ju kanë premtu që ska me pasë problem, paga nuk doli, ke festë, kanë kredi, garanci ska kur del rroga. E kanë humb besimin edhe punëtorët pak, kanë shumë kredi, besa ke edhe festa, ke Bajram po duhen paret…”, tha minatori Bajram Bala. 

Nga sindikata e minatorëve thonë se kërkesa e vetme e tyre është ekzekutimi i pagave të plota me kohë, në mënyrë që t’i kthehen punës.

“Greva e tetorit, marrëveshja ka qenë me tri pika. Një ndër këto pika ka qenë garantimi i pagës për minatorët, me e marrë pagën prej 6 deri më 10. 1 muaj ose 2 kanë dalë pagat me kohë, pastaj gjithë kemi pasë probleme. U vonu herë me dy rata herë me 3 rata herë deri me datën 27…në atë moment që ekzekutohen pagat minatorët janë të gatshëm me hy në minierë, në 10 në 11 si të ekzekutohen pagat”, deklaroi Gani Osman, anëtar i kryesisë së Sindikatës.

Nga menaxhmenti i ndërmarrjes zotohen se pjesa tjetër e pagës do të ekzekutohet më së largu të premten e javës që vjen, nëse prodhimi në minierë vazhdon. 

“Premtimi prej nesh mbetet që gjatë javës së ardhshme, maksimumi të premten e ardhshme të paguhet pjesa e mbetur e pagës. Kjo situatë fatkeqësisht ka me na përcjell edhe disa muaj. Jemi në kontakt me ministrinë e Ekonomisë, deputetët. Zgjidhjet afatshkurta na kanë pru në situatën ku jemi. Nuk jemi të interesum për zgjedhje afatshkurta. Për me ardhë në zgjidhje afatgjata na duhet edhe pak durim, pak ma tepër angazhim dhe me dalë prej kësaj situate”, tha Bashkim Kurti, kryeshef i ndërrmarjes “Trepça”.

Puna në minierën e Trepçës ishte ndalur edhe në tetor të vitit të kaluar. Minatorët kishin hyrë në grevë për 11 ditë. Pas një marrëveshjeje të arritur, ata dolën nga nëntoka. Në kushte të mjerueshme vazhduan punën, por puna u ndërpre sërish javën e kaluar, pasi marrëveshja e arritur, që përfshin edhe ekzekutimin e pagave me kohë, nuk po zbatohet.

Go to TOP