Schranz e Skriniar të zhgënjyer: E imagjinonim ndryshe ndeshjen

Pas humbjes së pësuar nga Ukraina, me rezultat 1:2, në ndeshjen e xhiros së dytë të Grupit E në Euro 2024, lojtarët e Sllovakisë shprehën zhgënjimin e tyre për rezultatin dhe mënyrën si rrodhi ndeshja.

“Ne e nisëm mirë, por me kalimin e kohës humbëm terren. Liruam më shumë hapësira për ukrainasit që të zhvillonin kundërsulmet e tyre të shpejta. Është për të ardhur keq që sot nuk arritëm ta menaxhojmë ndeshjen dhe pësuam gola. Tani duhet të përqendrohemi te ndeshja e tretë, sepse ende jemi në garë”, tha Ivan Schranz, golashënuesi i Sllovakisë në ndeshjen e sotme.

E kapiteni i Sllovakisë, Milan Skriniar theksoi se ekipi i tij nuk ishte në nivelin e duhur në pjesën e dytë.

“Pjesa e parë ishte në rregull nga ana jonë, por ne thjesht nuk bën të luajmë siç luajtëm në pjesën e dytë. Nuk i ndoqëm udhëzimet e trajnerit, i lamë kundërshtarët të ndryshonin rrjedhën e lojës. Jemi të zhgënjyer, e imagjinonim ndryshe këtë ndeshje, por gjithçka ende mbetet e hapur”, tha Skriniar.

Go to TOP