Rusia reagon për zhvillimet në veri, ka një kërkesë për KFOR-in

Moska zyrtare ka reaguar pas situatës së djeshme në veri të Kosovës, duke i dalë, sikurse tradicionalisht, në mbrojtje pozicionit të Serbisë.

Përmes një deklarate, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, i ka dënuar veprimet e autoriteteve të Kosovës në lidhje me aksionin e policisë në veri të vendit.

Sipas Rusisë, Kosova me këto aksione ka për qëllim “të rrisë serbofobinë” dhe ishte për efekt të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

“Dënojmë me vendosmëri gjepurat e udhëheqësve shqiptarë të Kosovës të cilët ndihen të pandëshkueshëm dhe përdorin çdo justifikim për të arritur një rritje të serbofobisë në komunitetin lokal para zgjedhjeve të 17 tetorit, dhe e përdorin këtë valë për të siguruar një epërsi të forcave ultra-nacionaliste, të paafta për negociata”, tha zëdhënësja e MPJ-së ruse.

Ajo vuri në dukje se “kursi agresiv i Prishtinës” me pëlqimin e vendeve perëndimore, vetëm e ndërlikon dialogun “veçse problematik” me Beogradin.

“Paralajmërim: kjo linjë e Prishtinës dhe reagimi i dobët i ‘kuratorëve’ të saj të jashtëm pashmangshëm, shkaktojnë degradim në një konflikt të hapur dhe shkatërrojnë parakushtet për dialogun veçse të ngecur midis palëve”, thuhet në deklaratën e saj, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.

Zëdhënësja nënvizoi se kosovarët shfaqin demonstrativisht mosgatishmërinë e tyre për të “hequr dorë nga planet e tyre agresive, që synojnë pastrimin e krahinës nga banorët joshqiptarë duke krijuar kushte të papërballueshme jetese”.

“Është e qartë se ‘qeveria’ radikale e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit nuk e konsideron veten të lidhur me asnjë marrëveshje dhe injoron hapur edhe ata në Perëndim të cilët vazhdojnë të lobojnë për legalizimin ndërkombëtar të pavarësisë ilegale të Kosovës, të shpallur në mënyrë të njëanshme”, tha Zakharova.

Në fund, MPJ-ja ruse kërkoi nga KFOR-i të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe “të ndalojnë radikalët e pashpresë shqiptarë të Kosovës”.

“Ne kërkojmë që Forca e Kosovës (KFOR-i, sqarim i ‘Zërit’) të përmbushë mandatin e saj në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB së dhe të ndalojë radikalët e pashpresë shqiptarë të Kosovës. Ne vlerësojmë se kontingjenti ndërkombëtar i udhëhequr nga NATO-ja është plotësisht përgjegjës për të siguruar paqe dhe siguri në rajon”, përfundoi Zakharova.

Go to TOP