Rusia paralajmëron masa të paspecifikuara ndaj dronëve amerikanë mbi Detin e Zi

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i urdhëroi zyrtarët e vet ta përgatisin një “përgjigje” ndaj dronëve amerikanë që fluturojnë mbi Detin e Zi, tha kjo Ministri të premten.

Ministria ruse tha se ka një “intensitet të rritur” së voni të dronëve amerikanë mbi Detin e Zi, duke shtuar se ata “mbledhin informata dhe objektiva për armët precize me të cilat ushtria ukrainase furnizohet nga aleatët perëndimorë për të kryer sulme ndaj objekteve ruse”.

“Kjo tregon për një përfshirje të rritur të ShBA-së dhe vendeve të NATO-s në konfliktin në Ukrainë duke ia mbajtur anën regjimit të Kievit”, tha ajo në një komunikatë.

Ajo theksoi se “fluturime të tilla e rrisin dukshëm mundësinë e incidenteve me përfshirjen e avionëve luftarakë rusë, gjë që e rrit rrezikun për konfrontim të drejtpërdrejtë mes aleancës dhe Federatës Ruse”.

“Anëtarët e NATO-s do ta mbajnë përgjegjësinë për këtë”, shtoi ajo.

Ministria theksoi se ministri i Mbrojtjes Andrei Belousov e ka urdhëruar Shtabin e Përgjithshëm të “bëjë propozime për masat si përgjigje ndaj provokimeve”.

Uashingtoni dhe Moska janë konfrontuar edhe më parë rreth dronëve amerikanë në Detin e Zi. Në një incident më 2023, një avion luftarak rus e dëmtoi një dron amerikan atje, duke bërë që ai të rrëzohej.

Përsëritja e një konfrontimi të tillë mund t’i rrisë tensionet edhe më shumë rreth luftës në Ukrainë.

Në mars 2023, një avion luftarak Su-27 i Forcave Ajrore Ruse e dëmtoi një dron amerikan MQ-9, duke e rrëzuar në Detin e Zi. Ai incidenti shënoi konfrontimin e parë të drejtpërdrejtë mes forcave ruse dhe atyre amerikane prej Luftës së Ftohtë.

Rusia i ka deklaruar zona të ndaluara për fluturime pjesë të gjera afër Krimesë. Prej se Rusia e aneksoi jashtëligjshëm Gadishullin e Krimesë më 2014 dhe shumë kohë para se ta niste pushtimin e Ukrainës më 2022, Moska e ka akuzuar Uashingtonin se avionë vëzhgues amerikanë kanë fluturuar shumë pranë kufijve të saj, duke i shpërfillur paralajmërimet e Rusisë.

Deklarata e së premtes vjen pas një sulmi ukrainas me raketa amerikane ATACMS në Sevastopol në fundjavë, ku u vranë katër njerëz dhe u plagosën rreth 150, sipas autoriteteve ruse.

Zyrtarët rusë pretendojnë se ShBA-ja u përfshi drejtpërdrejt në atë sulm duke i dhënë Ukrainës informata për objektivat ruse dhe u zotua se do të ndërmarrë masa hakmarrëse.

Go to TOP