Punimet për rregullimin e sheshit George Bush ende nuk kanë nisur

Ndryshime në “Trafikun Urban” edhe mund të ketë, por tash për tash, asgjë nuk do të punohet në sheshin “George Bush”.

Kur pritej që punimet për rregullimin e kësaj rruge të kthyer në shesh, të fillonin në qershor, ashtu siç ishte paralajmëruar, tani ato nuk pritet të nisin para muajit gusht apo shtator.

Kështu deklarojnë zyrtarë të komunës. Ndërkohë, ka qytetarë që kërkojnë rihapjen e rrugës për qarkullim.

Nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, e cila është partia më e madhe opozitare në kryeqytet, thonë se mbyllja e sheshit “Xhorxh Bush” ka ndikuar që komunikacioni të jetë më i ngarkuar.

Ndërkohë, nga Komuna e Prishtinës, përmes një përgjigjeje me shkrim për RTK-në, deklarojnë se projekti i këtij sheshi këtë muaj dërgohet në prokurim për t`u tenderuar, kurse punimet pritet të fillojnë në muajt gusht ose shtator. I gjithë projekti pritet të përfundojë nga mesi i vitit 2025.

Go to TOP