“Politico”: Bideni s’e fton Kosovën në Samitin për Demokraci

Prestigjiozja amerikane “Politico”, ka publikuar listën e shteteve të ftuara nga Shtëpia e Bardhë, për Samitin e Demokracive që do të mbahet në dhjetor të këtij viti. Në këtë listë, figurojnë 100 shtete, por jo edhe Kosova, Serbia dhe Bosnja.

Mediumi amerikan “Politico” ka publikuar listën e 100 shteteve pjesëmarrëse në Samitin e sivjetmë për Demokraci që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në listë nuk figuron Kosova.

Presidenti amerikan Joe Biden do të jetë nikoqir i këtij Samiti virtual më 9 dhe 10 dhjetor. Pjesëmarrës do të jenë udhëheqës të qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat, ku diskutimi do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia dhe do të ofrojë një platformë ku udhëheqësit angazhohen, individualisht ose kolektivisht, për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Në këtë listë , përveç Kosovës, nuk është ftuar as Serbia dhe Bosnja & Hercegovina nga rajoni. Ndërkohë, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë ftesë.

Për këtë çështje ka reaguar analisti i çështjeve politike dhe aktivisti i shoqërisë civile, Agon Maliqi.

Maliqi ka shkruar në Facebook se mospërfshirja e Kosovës në Samitin e Demokracive është sinjal i keq për nivelin e marrëdhënieve dhe kjo duhet të lexohet si kambanë alarmi.

“Mirëmëngjes popull liridashës. Kjo është sipas një raporti të Politico harta e shteteve në Evropë të cilave SHBA u ka dërguar ftesë për pjesëmarrje në Samitin e Demokracive në dhjetor. Mospërfshirja e Kosovës është sinjal shumë i keq për nivelin e marrëdhënive dhe duhet të lexohet si këmbanë alarmi”, ka shkruar Maliqi.

Go to TOP