Përplasje në Komisionin për Integrime, shtyhet mbledhja

Komisioni për Integrime Evropiane ka dështuar të miratojë projektligjin për amendamentimin e marrëveshjes financiare për IPA 2019 dhe të diskutojë për raportin e progresit. Dallimet e anëtarëve të komisionit për pikat e rendit të ditës bënë që mbledhja të shtyhet javën e ardhshme, ani pse në komision ishte i pranishëm zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

Ishte propozimi i deputetëve të mazhorancës dhe të dytit të qeverisë që krijoi polemika në komision. Pushteti kërkoi që në mbledhjen e sotme të diskutohet vetëm marrëveshja për IPA-në, ndërsa raporti i progresit të vjen në rend të ditës mbledhjen e radhës. Një gjë e tillë nuk u pajtuan deputetët opozitarë, të cilët kërkuan që mbledhja të shtyhet në tërësi.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu tha se për shkak të agjendës së zëvendëskryeministrit dhe angazhimit të disa deputetëve në punimet e takimit të shtatë të Komisionit për MSA-në, duhet të diskutohet vetëm për marrëveshjen financiare me BE-në.

“Pika e parë të hiqet dhe të kalojmë direkt tek diskutimi për IPA, përpos që zëvendëskryeministri e ka agjendën shumë të ngjeshur, unë dhe Blerta jemi duke marrë pjesë në punimet e takimit të shtatë të komisionit për MSA-në”, tha ajo.

Me një konstatim të tillë u pajtua edhe zëvendëskryeministri, Bislimi, i cili tha se Raporti i Progresit kërkon më shumë kohë të elaborohet, derisa theksoi rëndësinë e miratimit të rialokimin e mjeteve për IPA-në.

“Raporti i Progresit kërkon më shumë kohë që të elaborohet në detaje është benefit i dy anshëm nëse kjo nuk bëhet sot. Ju keni angazhime dhe ne kemi angazhime. Iu kam përgjigj ftesës suaj sot që ta trajtojmë temën e IPA 2018, nëse ju insistoni të diskutojmë raportin e progresit pa e pasur versionin në gjuhën shqipe iu përshtatem…6:30 I rëndësisë primare është fakti që rialokimi i mjeteve dhe amendamentimi i IPA 2018 kërkon një nguti kohore për çka se projekti që duhet të rialokohen mjetet është duke u zbatuar dhe mund të ndikohet negativisht dinamika e procesit nëse trajtimi i kësaj teme zvarritet tutje. Për mua nuk është problem, mundem me ardh edhe një ditë tjetër”, theksoi ai.

Me një qasje të tillë nuk u pajtua deputetja opozitare e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila tha se duhet konsensus për marrëveshjen ndërkombëtare, pasi me dallime e njëjta do të dështojë në seancë plenare.

“Nuk po shoh ndonjë problem pse mos me u mbajt mbledhja dhe raportimi. Pas tij me vazhdu me marrëveshjet ndërkombëtare…Edhe po e kaluat sot në komision duhet ta kemi një konsensus politik se po s’u dakorduan këto marrëveshje, ju sot do t’i kaloni, por nuk do të kalojnë në seancë plenare”, deklaroi ajo.

Në linjë të njëjtë u shpreh edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

Ne si opozitë kemi qenë të hapur t’i përkrahim gjitha këto marrëveshje që kanë ardhur deri tani, ju do ta mirëkuptoni këtë bashkëpunim. Pres që ta shtyjmë në një takim të radhës që të diskutojmë edhe cështjen e IPA-së edhe çështjen e raportit për vendin”, shtoi Deliu.

Mbledhja e radhës e komisionit u vendos të mbahet sërish të premten e javës së ardhshme. 

Go to TOP