Përfundon festivali folklorik “Netët e Bejkes së Bardhë”, atmosferë ndezëse

Një rrugë gjarëpore 12 kilometërshe nga Himara  të shpie deri në fshatin Pilur një fshat shumë interesant në të cilën janë lindur dhe rritur shumë vjershëtarë. Ishte ftesa e mikut im Aleksandër Cipa që unë të ndodhem  në sheshin e Rrapit apo sic njihet Ballkoni i fshatit Pilur, ku për tri ditë u mbajt   festivali i tretë I folklorik “Netët e Bejkes së Bardhë”, me mbresat më të mira. Pilurjotet e kanë prejardhjen nga fshati i vjetër në verilindje të fshatit të sotshëm, (Pilur). U larguan nga katundi i vjetër në vitin 1650. Pilurjotet ne fillim shkuan në Kastanë por shpejtë u larguan prej andej dhe u vendosën ne fshatin e sotshëm Pilur që ndodhen aty edhe sot e kësaj dite.

  Banorët e këtij fshati kryesisht merren me blegtori dhe është vendi më I njohur I këngëve të polifonisë.  Ata vizitorët përmes poezisë dhe këngëve polifonike, I përkujtojnë në vargjet e poetit të madh Lefter Cipa, një figurë unikale, duke lënë pasuri të madhe krijuese  që të nxisin plot emocione dhe kujtime. Shumë pjesëmarrës bënë homazhe të varri i tij. Ai ishte I lidhur shumë me këngën polifonike si mishi për kocka sikurse tregohet edhe me poemën e tij “O shokë vdeksha nga kënga”. Nën flladin e Rrapit disa shekullor, banorët ku kalojnë pjesën më të madhe të ditës të ngazëllyer presin mysafirët nga shumë treva për këtë festival. Rreth këtij fshati shihen shpatet e kodrave të tjera përreth që asnjëra nuk I ngjason njëra tjetrës. Ndërsa në ballinë shihet bregdeti  si në shuplakë të dorës me plazhet e bukura, duke të krijuar një ndjenjë të papërshkruar. Jo më kot e quajnë Ballkoni  I bregdetit dhe këngës. Pothuaj të gjitha shtëpit janë kthyer nga ajo pamje.  Në majën e kodrës përmbi fshat, një pyll në formën e një kurore me bung, si asnjë kodër tjetër,  ndodhet kisha e Shën Kollit. Nuk është e cuditshme që ky fshat me atë natyrë të jetë më frymëzuesi në trevën jugore duke dhënë mjaft shkrimtarë e poet. Në disa dekada numërohen rreth 150 vjershëtarë, ndërsa aktualisht ka dhjetë poetë e shkrimtarë të afirmuar! Pra lirshëm mund të quhet qendra ku lind poezia. Eventi filloi në orët e mbrëmjes me parakalimin e tufave blegtorale që nisen për shtegtimin veror. Ky është riti i vjetër sa bota për ne dhe gjithë gadishullin ilirik. Kryetari i Bashkisë Himarë Gjergji Goro në hapje të  festivalit tha se ky aktivitet është shumë i rëndësishëm, në veçanti për brezin e ri, i cili duhet të ruajë polifonine. Ai thekson se me këtë festival Himara është kthyer në epiqendrën e turizmit. “Turizmi në këtë qytet do të vijojë me çmime në kuota normale edhe pas krizës që vendi ynë po kalon nga rritja e çmimeve në çdo sektor. Turistët përveç natyrës, ushqimit po shijojnë çdo ditë e më tepër, polifoni. Numri i tyre edhe pse kemi kaluar një pandemi botërore po vjen duke u rritur. Piluri po kthehet në një qendër turistike ku polifonia po bëhet një “meny” gjithnjë e më e kërkuar”.  

Festivali u hap me kujtimin për mjeshtrin e këngës Lefter Cipa i cili  kishte lënë një poemë të bukur “Vdeksha edhe prapë u ngrefsha, Shokët në këngë i gjetsha!”. Mungesën e poetit dhe më kreativ të polifonisë gjatë 40 viteve të fundit, I cili ndërroi jetë në shkurt të vitit të kaluar, organizatori I këtij aktiviteti Kristo  Cipa  tha se kjo është vetëm mungesë fizike, por që zërat qiellore do e çojnë këngët e tij të përjetshme. “Nga viti në vit niveli shtohet dhe sidomos të rinjtë të cilët po bashkohen grupeve të iso – polifonisë. Ky aktivitet ka si qëllim të çojë polifoninë qe vjen nga përjetësia dhe ta çoji në përjetësi.”, tha ai, Iso Polifonia shqiptare është shpallur nga UNESCO “Kryevepër e Trashëgimisë Gojore të Njerëzimit” dhe mbrohet  prej saj. Artisti I madh Bujar Asqeriu duke e kujtuar me pietet Cipën zgjoi mjaft emocione te pjesëmarrësit duke i thurur vargje. Erërat e pareshtura sikur I japin volum grupeve polifonike me veshje tradicionale fustanella dhe xhamadanë të cilat kanë mbushur sheshin e Rrapit, aty ku lindën artistët e këngës polifonike shqiptare. Festivali filloi me këngën “Netët e Bejkes së Bardhë” të Lefter Çipës kënduar nga Vasillo Koka, Në natën e parë ishin pjesëmarrës 10 grupe, nga Vlora, Fieri, Mallakastra, Tepelena, Himara, Gjirokastra,  Kuçi, bashkia e Memaliaj, Piluri, Saranda…por risi ishte edhe pjesëmarrja e ansamblit të këngëve e valleve nga Kosova të cilët kërcyen dhe kënduan këngë patriotike. Solistë të Asamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve mbyllën ditën e trtë me repertor vallesh dhe këngësh qytetare vlonjate të cilat janë pjesë e krijimtarisë së vargjeve të poetit Lefter Çipa.

Pjesëmarrësit patën rastin të shijojnë mishin e qengjit nga kjo trevë, produktet e djathërave dhe rakin që ishin të një kualiteti të lartë.   Atmosfera elektrizohej nga vallet e shumta të pjesëmarrësve ku nuk munguan as turistë të huaj, të rinj britanik, polak e gjerman që ishin kureshtar për këngët polifonike  duke iu rrekur  valleve shqiptare. Edhe pse më herët kam vizituar pjesën bregdetare jugore, gjatë një guide turistike miku im Aleksandri  jo vetëm që na tregoi pikat e rëndësishme të disa specialiteteve nga kulinaria e kësaj treve por edhe histori të disa monumenteve historike që nga Pasha Limani e deri në Vlorë që më parë si kisha dëgjuar. Përfundojmë vizitën tre ditore të festivalit të tretë, duke u ndarë me mbresat më të mira dhe gjithë atë mikpritje bujare të banorëve  si dhe pronarit të  Hotelit Duka i cili bëri secilin mysafir të ndihej si në shtëpi të tyre madje ti gjejë dhe tu kthejë tri kuleta të pjesëmarrësve nga Kosova të cilëve u kishin humbur. E vështir të ndahesh nga ajo ngrohtësi njerëzore dhe e bregdetit jugor shkëlqimi I së cilës dukej se po të ndjek prapa deri pas parkut të Llogarasë.

Ilir KRASNIQI

Go to TOP