Peleshi: Makina e parë e blinduar ushtarake shqiptare prezantohet në Paris

Peleshi u takua me Arjeta Puca-n, e cila së bashku me kompaninë e saj TIMAK, po punon për prototipin e makinës së parë të blinduar ushtarake, “Made in Albania”.

Peleshi theksoi se Qendra e Inovacionit i është bashkuar kësaj iniciative të bukur.

Ai u shpreh besimplotë që pas 3 javësh, në Paris, në panairin “Eurosatory” do të prezantohet me sukses ky produkt shqiptar.

“Shumëkush mund të pyesë se si ka mundësi që një ekip me 75% vajza të reja, arrin të eksportojë makina në 20 shtete të botës dhe madje të guxojë të hyjë pa drojë në tregun e industrisë ushtarake”, u shpreh Peleshi.

Ministri rrëfeu edhe se çfarë i tha Arjeta në lidhje me këtë.

“Për të gjetur çelësin e suksesit, po ju tregoj çfarë më tha Arjeta gjatë vizitës time te TIMAK. “Më mori dikush në telefon nga Izraeli. Ishte shqiptare dhe kishte parë një ambulancë izraelite “Made in Albania” dhe ishte çuditur. Më ndodh shpesh që takoj njerëz që çuditen me ne. Ndërsa unë çuditem me çudinë e tyre,” më tha ajo”, shkroi Peleshi.

“Për të hedhur hapin drejt botës së zhvilluar, së pari duhet të kapërcejmë kompleksin tonë të inferioritetit intelektual. Po, Shqipëria i ka kapacitetet të shpikë, të kërkojë, të gjejë, të krijojë, të patentojë. Mbi 4000 PhD shqiptarë të diasporës janë ofruar për të kontribuuar në Shqipëri, më thanë përfaqësuesit e AADF. I kemi të gjitha! Ka ardhur koha të guxojmë edhe në inovacion”, theksoi ministri Peleshi. /Kosova.info/

Go to TOP