Peci dhe Denaj bashkërendojnë politikat zhvillimore bujqësore

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj kanë zhvilluar sot një takim bilateral në Prishtinë, ku kanë diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve, duke theksuar se nuk mungon koordinimi dhe bashkërendimi i politikave zhvillimore bujqësore në mes të dyja shteteve.

Gjatë këtij takimi, Ministri Peci dhe Ministrja Denaj kanë theksuar se në frymën vëllazërore i paraprijnë sigurimit të bukës së sofrës së përbashkët, sfidave andej e këndej kufirit me qëllimin e vetëm, avancimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe sigurisë ushqimore si sinonim për sigurinë nacionale.

 “Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira ndërsektoriale mbeten kryetemë, ndërsa po hedhin hapa drejt projekteve të përbashkëta që si kryefjalë kanë bashkëpunimin, forcimin e lidhjeve shtetërore dhe shkëmbimet agro-tregtare”, ka thënë Ministri Peci.

Në anën tjetër, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka rikonfirmuar gatishmërinë e Qeverisë së Shqipërisë për të rritur bashkëpunimin në funksion të zhvillimit bujqësor tek të dy vendet. Të dy u pajtuan për vazhdimin e zbatimit të marrëveshjeve të përbashkëta, të cilat sipas tyre do të fuqizohen edhe më tej, në funksion të zhvillimit bujqësor dhe sigurisë ushqimore në mes të dyja vendeve.

Ndryshe, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Faton Peci dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Shqipërisë, Anila Denaj kanë shkëmbyer dhurata pas takimit bilateral që kanë zhvilluar sot, ku Ministri Peci i dhuroi një dhuratë me produkte vendore, ndërsa Ministrja Denaj i dhuroi një simbol të veshjeve shqiptare, e cila njihet me emrin “xhubleta”. /Kosova.info/

Go to TOP