Njohësit e zhvillimeve politike: BE nuk po i trajton njësoj të dy shtetet

Ish ministrja e Integrimeve Evropiane Meliza Haradinaj ka thënë se nuk ka pasur pritje se në Bruksel do të ketë një takim tre palësh apo një takim me rezultate. Në “Prime” në RTK, Haradinaj tha se është për keqardhje se si BE-ja nuk ka arritur t’i përafrojë dhe t’i ulë në një emërues të përbashkët.

“Më shumë duket që është rikapitulim i mandatit lehtësues i Bashkimit Evropian meqë po përmbyllet edhe mandate i lehtësuesve dhe I shefit të politikës së jashtme Borell. Prandaj ne vetëm duhet të theksojmë se është për keqardhje se si një union kaq i fuqishëm politik dhe ekonomik të mos jetë në gjendje ta kapitalizojë fuqinë e saj qe dy shtete që i ka në prag të anëtarësimit, në prag të kufijve të saj ti ulë në një emërues më të vogël të përbashkët”, tha Haradinaj duke thënë se gjatë këtij mandati nuk është realizuar asgjë.

Tutje ajo tha se do të ishte shumë naive që pas sulmit në Bansjkë dhe ku Serbia nuk u sanksionua të ketë një takim trilateral.

“Ne nuk do të duhet të prisnim diçka në një takim trilateral me një shtet agresor i cili as nuk i dorëzon kriminelët e saj as nuk I dorëzon para drejtësisë së saj vendore”, u shpreh ajo.

Ndërkohë analisti Emir Abrashi tha se është në interes të Kosovës që sa më parë të rifillojë procesi i dialogut dhe të shkohet në zgjidhje finale.

“Ky proces ka filluar tash e 13 vite dhe nuk mundet pafundësisht të dialogojmë dhe të sillemi në të njëjtin vend”, deklaroi ai.

Megjithatë edhe ai tha se nuk kishte pritshmëri nga takimi që u realizua të mërkurën në Bruksel.

Bashkimi Evropian nuk ka një kredibilitet sepse janë treguar shumë të anshëm në procesin e dialogut dhe vet BE është në tranzicion, prandaj dhe kjo ishte një tentativë e fundit e tyre për të lënë pas vete një trashëgimi nga ky proces” tha ai.

Tutje Abrashi e komentoi deklaratën e kryeministrit Kurti dhënë nga Brukseli, i cili refuzoi takimin me presidentin serb Vuçiq dhe tha se kishte tri kushte.

Ai tha se në parim këto janë kërkesa të drejta, megjithatë sipas tij kryeministri Kurti shpesh herë ka këmbëngulur më shumë se sa që duhet.

“Unë druaj se edhe kësaj radhe mund të ndodhë e njëjta gjë dhe ne mund të humbim momentumin”, tha ai.

“Institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme e të dinë të lëshojnë pe atëherë kur duhet”, shtoi Abrashi.

Ndërkohë politologu Dorajet Imeri tha se gjatë rrugës në dialog Kosova do të shtojë edhe kushte të tjera.  “Kemi Bashkimin Evropian që thotë se ne nuk kemi pasur njoftim nga Kosova për atë që ka ndodhur në Banjskë, pra duhet edhe BE të tregojë pozicionin e saj se çfarë qëndrimi mbanë”, tha ai duke theksuar se beson që institucionet e Kosovës kanë njoftuar për atë së çfarë ka ndodhur në veri.

Megjithatë Imeri thotë se ka dilema themelore në dialogun. Sipas tij ky dialog e ka humbur kuptimin e tij dhe se nuk pret që ky dialog mund të prodhojë ndonjë zgjidhje.

“Palët vështirë se do të mund të përafrohen për aq kohë sa kanë këtë qëndrim që kanë tash. Rrenatat ndërkombëtare nuk priren të na befasojnë për të mirë edhe në të ardhmen. Bashkimi Evropian nuk do të mund të ketë ndonjë mekanizëm tjetër më të madh detyrues ndaj palëve”, tha mes tjerash Imeri.

Të ftuarit theksuan se Kosova nuk po trajtohet nga BE-ja në mënyrë simetrike siç po trajtohet Serbia.

“Nëse BE vazhdon të ketë politikën e jashtme si përgjegjësi ekskluzive e shteteve anëtare, atëherë ne vazhdimisht do të kemi situata të tilla ku Kosova nuk do të trajtohet siç trajtohet Serbia sepse nuk njihemi nga pesë shtete anëtare”, tha Meliza Haradinaj.

Go to TOP