Nis edicioni i 24-t i Panairit të Librit në Prishtinë

Është hapur edicioni i 24-t i Panairit të Librit në Prishtinë. Tema e sivjetme është “Përgjigjja është libri”, ndërsa do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00 deri në orën 21:00, kurse përfundon të dielën.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Edon Zeneli, tha se puna e netëve të vona e autorëve, përkthyesve, redaktorëve, korrektorëve e mundi i madh i botuesve e punonjësve të shtypshkronjave, materializuar në mjetin magjik të quajtur libër, afrohet e ofrohet te qëllimi i vet – lexuesi.

Tutje ai falënderoi partnerët  tradicionalë të panairit të librit, MKRS-në dhe Drejtorinë e Kulturës në Prishtinë, të cilët bëjnë të mundur edhe organizimin e  një ngjarjeje të tillë.

Po ashtu, ai i falënderoi  punëtoret e Pallatit të Rinisë për rregullimin e stendave  e më së shumti i falënderoi botuesit “që në mënyrë të paepur punojnë për të formuar njerëzit, për të formuar shoqërinë”.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka cilësuar Panairin e Librit si një prej traditave kulturore të vlefshme. “Panairi i Librit është një nga traditat më të bukura të Kosovës së pasluftës. Shumë kënaqësi me qenë këtu, me pa numër kaq të madh të botuesve, qindra e mijëra botime, aktivitete. Institucionet duhet të jenë në dispozicionin e botuesve, të autorëve, për ta çuar përpara këtë mision të përbashkët”, ka thënë Çeku.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se interesimi për lexim po rritet. “Sot në 24-vjetorin e Panairit të Librit në Prishtinë mirëpresim mijëra tituj të rinj e të vjetër, libra të shkruar rishtazi dhe libra që kthehen në vëmendjen e lexuesit falë vlerave të tyre të pakontestueshme shumëvjeçare. Kjo është dëshmi e gjallë e interesimit të shtuar të lexuesve në Kosovë dhe vetëdijesimit për vlerën e librit gjatë tërë jetës”, ka thënë Nagavci.

Go to TOP