Pranoi 500€ nga kandidati, arrestohet intruktori i autoshkollës në Pejë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar në Pejë një instruktor të autoshkollës, pasi është kapur duke pranuar 500 euro për kalimin e një kandidati për patentë shofer.

“Hetuesit e Sektorit për Hetime Financiare të DhKEK, duke përdorur masat e veçanta të hetimit, kanë arrestuar të dyshuarin: B.G., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar), instruktor në një auto-shkollë në Pejë. I njëjti është arrestuar në flagrancë duke pranuar një shumë prej 500 eurove nga një person për t’i mundësuar atij kryerjen e testit me shkrim për patentë shofer”, thuhet në njoftim.

Raportohet se të dyshuarit gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar mjetet monetare të cilat kanë shërbyer për simulim të veprës penale.

“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndaj tij është iniciuar rasti ‘pranim i ryshfetit në sektorin privat’ dhe më pas, me aktvendim të prokurorit të PTh-Pejë i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP