Nënshkruhet marrëveshja për projektin e shëndetësisë e arsimit

Është nënshkruar marrëveshja me Bankën Botërore në vlerë prej 40 milionë eurove për forcimin e sistemit shëndetësor e arsimor. Ministria e Shëndetësisë do të përfitojë nga projekti “Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë”, ndërkaq Ministria e Arsimit nga projekti “Edukimi dhe Kujdesi në Fëmijërinë e Hershme për Kapitalin Njerëzor të Kosovës”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se vlera e marrëveshjes është afër 37.2 milionë dhe 2 milionë dollarë amerikan në formë granti.

“Projekti parë ka për qëllim përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore publike përmes blerjes së pajisjeve për IKShPK-në dhe ShSKUK-në, forcimin e kapaciteteve të personelit shëndetësor si dhe ndërthurjes së praktikave me të mira për sigurim të cilës së shërbimeve të ofruara dhe ndërtimit të sistemit të sigurimeve shëndetësore”, ka thënë Murati.

Ndërsa për projektin e dytë, ai ka njoftuar se ka për qëllim rritjen e cilësisë së edukimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme, përmes hartimit të legjislacionit dhe krijimit të infrastrukturës adekuate.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ky projekt do t’i shërbej qytetarëve dhe stafit shëndetësor, duke mundësuar ekspertizë profesionale nga ndërkombëtarët e vendorët, hartim ligjesh dhe përmirësime administrative.

“Investimi në edukimin e hershëm është një investim në të ardhmen e vendit tonë pasi formon bazën për zhvillimin e kapaciteteve të tyre intelektuale dhe sociale”, ka deklaruar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci për projektin përkatës të arsimit.

Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Massimiliano Paolucci nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve i ka quajtur si përkushtim të shprehur ndaj Kosovës.

Go to TOP