Narendra Modi shpall fitoren në zgjedhjet e përgjithshme në Indi

Kryeministri Narendra Modi shpalli fitoren e partisë dhe aleatëve të tij të martën në zgjedhjet e përgjithshme në Indi, duke thënë se në mandatin e ri do të çojë përpara agjendën e tij. Partia e tij humbi vende në parlamentin indian në garën kundër një opozite më të fortë se sa pritej, e cila gjatë fushatës u përqendrua në çështjet ekonomike dhe politikat polarizuese të zotit Modi.

“Fitorja e sotme është një fitore e demokracisë më të madhe në botë”, tha zoti Modi para një turme të mbledhur në selinë e partisë së tij, duke thënë se votuesit indianë kishin “treguar besim të madh” për partinë e tij dhe koalicionin Aleanca Demokratike Kombëtare.

Rezultatet zyrtare nga Komisioni Zgjedhor i Indisë treguan se Aleanca Demokratike Kombëtare fitoi 286 vende në parlament, më shumë se 272 vendet e nevojshme për të siguruar një shumicë, por shumë më pak sesa pritej.

Kjo është hera e dytë që një udhëheqës indian fiton tre mandate me radhë pas tre fitoreve të njëpasnjëshme të kryeministrit të parë të vendit, Jawaharlal Nehru. Por gjithashtu, kjo është hera e parë që nga viti 2014, që partia e tij nacionaliste Bharatiya Janata nuk arriti të sigurojë e vetme shumicën, duke fituar 240 vende, shumë më pak se rekordi prej 303 vendesh që i fitoi në zgjedhjet e vitit 2019.

Zoti Modi do të ketë nevojë për mbështetjen e partive të tjera të koalicionit për miratimin e ligjeve, një goditje befasuese për 73-vjeçarin, i cili kishte shpresuar të shënonte një fitore të thellë në zgjedhjet e përgjithshme në Indi.

Partia e tij tani mund të jetë “shumë e varur nga vullneti i mirë i aleatëve të saj, gjë që i bën ata palë të rëndësishme si në aspektin e politikëbërjes ashtu edhe në atë të formimit të qeverisë”, tha Milan Vaishnav, drejtor i Programit të Azisë Jugore në organizatën “Carnegie Endowment for International Peace”.

Më shumë se 640 milionë njerëz votuan në zgjedhjet maratonë të mbajtura në një hark kohor prej gjashtë javësh në procesin më të madh demokratik të këtij lloji në botë.

Pavarësisht rezultatit më të dobët se sa priste, kryeministri Modi u zotua të përmbushë premtimin e tij zgjedhor për ta bërë Indinë ekonominë e tretë më të madhe në botë dhe të çojë përpara axhendën e tij. India aktualisht është ekonomia e pestë më e madhe në botë.

Para se zoti Modi të vinte në pushtet, India kishte qeveri koalicioni për 30 vjet

Go to TOP