Nagavci: Deri në fund të mandatit do t’i punësojmë 500 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se punësimi i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta është prioritet për Qeverinë Kurti dhe për atë si ministre.

Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se si Ministri do ta përcjellin me kujdes procesin e punësimit të asistentëve nga komunat dhe do të sigurohen që deri në fund të mandatit t’i kenë së paku 500 asistentë në shkolla.

“Në programin qeverisës ne kemi paraparë që çdo vit të qeverisjes sonë të punësojmë nga 100 asistentë për këta fëmijë, andaj dhe i kemi planifikuar edhe në buxhet. Aktualisht janë të punësuar 86  asistentë në shkolla dhe 5 në Qendrat Burimore. Shumë shpejtë do të punësojmë 3 asistent  të komunitetit që nuk dëgjojnë”.

“Punësimi i asistentëve bëhet krahas kualifikimit të tyre, aktualisht vetëm 70 asistentë  janë të diplomuar dhe të papunë, andaj dhe paralelisht me buxhetimin, po përgatisim dhe kuadrot e nevojshme dhe sivjet kemi filluar me përgatitjet e grupeve të reja të kandidatëve”.

“Si Ministri do ta përcjellim me kujdes procesin e punësimit të asistentëve nga komunat dhe do të sigurohemi që deri në fund të mandatit tonë t’i kemi së paku 500 asistentë në shkolla. Përtej kësaj, Qeveria ka marrë vendim që vitin 2022 ta shpallë “Vit të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës” që tregon përkushtimin tonë në këtë drejtim”.

“Në kuadër të aktiviteteve përveç tjerash, është paraparë ndërtimi i pjerrinave në 10 shkolla të mesme të ulëta dhe 5 shkolla të mesme të larta në 15 komuna. Po ashtu, është paraparë trajnimi i drejtorëve dhe mësimdhënësve të arsimit të mesëm të lartë për qasjen dhe arsimimin e nxënësve me nevoja të veçanta dhe shumë e shumë aktivitete tjera”, ka thënë Nagavci.

Go to TOP