Murphy: Atmosfera politike në Bosnjë e keqe, Dodik përgjegjës

Ambasadori i ShBA-së në Sarajevë, Michael Murphy e ka vlerësuar atmosferën politike në Bosnje dhe Hercegovinë si ndoshta më të keqen që nga lufta. ai e ka akuzuar liderin e Republikës Serbe, Milorad Dodik, se po kërcënon interesat e ShBA-së në Bosnje e Hercegovinë duke shpallur shkëputjen e entitetit të saj.

“Aktualisht, Bosnja dhe Hercegovina po përballet ndoshta me klimën më të keqe politike që nga vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Milorad Dodik është veçanërisht përgjegjës për këto probleme”, ka thënë Murphy.

Sipas tij, në BeH mund të dëgjohet “retorikë e keqe, etno-nacionaliste” çdo ditë, e cila, siç ka theksuar ai, vjen nga të gjitha kombet dhe partitë politike.

Për Dodikun, ai vlerësoi se retorika e tij është “gjithnjë e më e poshtër, ksenofobike dhe kokëfortë”, ndërsa aktivitetet secesioniste janë një kërcënim direkt për marrëveshjen e paqes të Dejtonit.

 “Plani i zotit Dodik për një ‘ndarje paqësore’ të Republikës Serbe nga Bosnja është një fantazi e rrezikshme, e paligjshme dhe përfaqëson një kërcënim për interesat themelore të ShBA-së në Bosnje”, ka deklaruar ambasadori amerikan.

Ndryshe, Dodik është një objektiv i vazhdueshëm i kritikave nga administrata e ShBA-së dhe shumica e vendeve perëndimore për mbrojtjen e shkëputjes së entitetit që ai drejton nga BeH.

Go to TOP