Ministrja Haxhiu pret në takim delegacionin e Bashkimit Evropian

Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, shoqëruar nga zv. Ministrja znj. Nita Shala, Këshilltari i Lartë dhe Shefi i Kabinetit z. Genc Nimoni, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e lartë të BE-së të kryesuar nga z. Vassilis Maragos, znj. Plamena Halacheva, z. Jarmo Feliks Helppingas dhe zyrtarë të tjerë.

Fillimisht z. Maragos ia dorëzoi Ministres Haxhiu Raportin e Progresit ndërkohë që kanë diskutuar për proceset e rëndësishme, përfshirë sundimin e ligjit, reformën në drejtësi dhe procese tjera që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ministrja Haxhiu e ka njoftuar z. Maragos me nismat të cilat i ka iniciuar Ministria e Drejtësisë  dhe ato që po ndërmerr në konsolidimin e sistemit të drejtësisë me qëllim të fuqizimit të shtetit të së drejtës. Theks të veçantë, Haxhiu i ka kushtuar procesit të vetingut i cili mbetet një nga prioritetet kryesore të kësaj Ministrie.

Haxhiu gjatë takimit gjithashtu ka vlerësuar bashkëpunimin me partnerët e Bashkimit Evropian duke theksuar nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë dhe mbështetjes profesionale të reformës në drejtësi.

Nga ana e tij z. Maragos shprehu kënaqësinë për takimin e sotëm duke mirëpritur përkushtimin e qeverise per avancimin e  agjendës per reforma ne sundimin e ligjit ne Kosove ne pajtim me standardet Evropiane. Tutje z. Maragos siguroi Ministren e Drejtësisë se mbështetja e Bashkimit Evropian në fushën e drejtësisë do të vazhdojë për qëllim të arritjes së synimeve të përbashkëta në zhvillimin e një sistemi të drejtësisë funksional, profesional dhe llogaridhënës në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Në takim është diskutuar edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me ç’rast ndër të tjera, të pranishmit në takim u dakorduan për një bashkëpunim me të ngushtë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta sa i përket objektivave të Sundimit të Ligjit, liberalizimit te vizave  dhe për të rritur besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Go to TOP