Mickoski thotë se është i gatshëm me argumente të përballet me kryeministrin grek

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski është i gatshëm që në Samitin e ardhshëm të NATO-s, të përballet me kryeministrin grek Kiriakos Micotakis, por edhe me politikanët e BE-së për çështjen e emrit, shkruan Alsat.

“Nëse në Evropë ekzistojnë, por nuk besoj që ekzistojnë, politikanë evropianë që prezantohen si politikanë modernë dhe bashkëkohor në shekullin 21 kurse në vete kanë motive talibaneze dhe duan ta rrezikojnë të drejtën e njeriut që është e mbrojtur me shumë konventa ndërkombëtare, atëherë unë jam i gatshëm me ato njerëz të shkëmbej argumente dhe të debatoj. Nuk ka asnjë dilemë. Interesi im është të ndërtojmë ura dhe jo t’i shembim ato”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski thotë se dëshiron të takojë ndërkombëtarët që para disa vitesh i kishin kërkuar të pajtohet për ndryshimin e emrit.

“Mbaj mend se një pjesë e politikanëve që tani janë të zëshëm për Marrëveshjen e Prespës ishin ulur përballë meje para gjashtë vitesh dhe më thoshin “Hristijan, le të kalojë edhe kjo dhe për pesë ose gjashtë vite ju do të jeni pjesë e BE-së”. Do të doja tani t’i shikoj në sy dhe t’u them atë që kam për të thënë, se janë të pandershëm, se japin deklarata të rrejshme dhe e manipulojnë këtë popull të vogël por të vlefshëm në zemër të Ballkanit”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mitsotakis, në një intervistë për radion “Real FM”, tha se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, nëse insiston në këtë retorikë që në momentin që do të marrë detyrën, do ta gjejë veten në shumë pozita të sikletshme në Samitin e NATO-s. Kryeministri grek tha se Marrëveshja e Prespës jep një emër të vetëm për përdorim të përgjithshëm dhe se mosmarrëveshja mund të krijojë probleme në marrëdhëniet me Greqinë, me NATO-n dhe BE-në.

“Shkupi duhet të kuptojë se nuk mund të luajë me Athinën për një çështje të tillë, sepse nëse do të ishim përpjekur për një emër të dyfishtë, çështja do të ishte mbyllur shumë vite më parë. Shkupi ka hyrë në NATO pikërisht përmes Marrëveshjes, e cila ka problemet e veta, por ka dhënë një emër për të gjithë dhe nëse kjo kontestohet, atëherë le ta dijë Maqedonia e Veriut se do të ketë probleme të mëdha, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë, por edhe në marrëdhëniet e saj si në NATO ashtu edhe me Bashkimin Evropian”, u shpreh Kiriakos Micotakis, kryeministër i Greqisë.

Mickoski pritet të marrë detyrën e kryeministrit pas seancës për votimin e qeverisë në fundjave kurse Samiti i NATO-s do të mbahet në 9, 10 dhe 11 korrik Uashington D.C. /Alsat.mk/

Go to TOP