Meloni, Rama: Në Shqipëri s’ka mafia si Camorra – Investigimi i Rai3, për të sulmuar marrëveshjen për emigrantët

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministren italiane, Xhorxha Meloni (Giorga Meloni), kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama nuk la pa hedhur poshtë edhe njëherë investigimin e kanalit italian Rai 3.

Nga Shëngjini, duke iu referuar SPAK, Rama tha se në Shqipëri nuk ekzistojnë organizata mafioze si Camorra apo Cosa Nostra, ndërsa theksoi se qëllimi i investigimit ishte të hidhte baltë mbi Shqipërinë dhe të sulmonte marrëveshjen me Italinë për emigrantët. 

“Sipas SPAK, nuk ekzistojnë premisat për të folur për një mafie shqiptare, një koncept ky mjaft i përdorur kohët e fundit për të hedhur baltë mbi Shqipërinë. Duke cituar kreun e SPAK, nuk mund të themi që në këtë vend ekzistojnë struktura që i ngjajnë organizatave mafioze të llojit, Camorra, Cosa Nostra sepse grupet kriminele shqiptare nuk kanë hierarki të tyre dhe veprojnë në grupe të ngushta familjare ose shoqërore. Shpreh trishtim për gjysmë të vërtetat të thëna në mediat italiane për Shqipërinë me qëllimin për hedhur baltë mbi këtë vend, për të sulmuar  marrëveshjen mes dy vendeve.

Duhet të kenë turp të gjithë ata që të drejtën demokratike për të kundërshtuar këtë marrëveshje e kanë shndërruar në një abuzim të pushtetit të katërt dhe kjo në kurriz të shqiptarëve dhe të vetë publikut italian. Qeveria jonë mund të ketë gjithë mëkatet e botës, por kurrë nuk ka mëkatin e një dite paqeje në luftën kundër krimit dhe as mëkatin që t’i kthejë kurrizin kur i është kërkuar të ndihmojë Italinë dhe jo vetëm Italinë. Si të shpjegoj faktin që disa gazetarë investigativ vijnë këtu dhe nuk shohin këta qindra emigrantë që i janë vjedhur vdekjes, por shohin fantazma, shpirtra të kriminalitetit që ekzistojnë vetëm në mendjet e tyre, për të informuar publikun e tyre me lajme të shkruara më parë”, tha Rama.

Ndalur te marrëveshja për emigrantët, Rama theksoi se Shqipëria është “e lumtur” t’i shërbejë Italisë, teksa shtoi se mund të diskutohet nëse ajo do të rezultojë apo jo e suksesshme, por jo për qëllimet mbi të cilat u arrit. 

“Unë jam krenar për Shqipërinë që mund t’i shërbejë Italisë, nëse ne kemi mundësinë për të qenë të dobishëm për Italinë, le ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta bëjmë këtë me zemër dhe bindjen se deti mes Italisë dhe Shqipërisë nuk është një hapësirë që na ndan, por që na bashkon prej mijëra vitesh. Në një çast kaq të vështirë jo vetëm për Italinë, por për gjithë Europën, jemi krenarë që mund të japim ndihmën tonë jo si evropianë brenda BE, por si evropianë me BE-në. Sigurisht mund të diskutojmë për çdo gjë dhe të kemi dyshime, qoftë edhe për mirësinë që kjo marrëveshje ka, nëse do të jetë një gjë me vlerë apo një gabim, por nëse do të jetë një gabim do të jetë gabim i bërë me zemër dhe jo nga llogaritjet e egra”, deklaroi kryeministri.

Go to TOP